TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri Edi Rama vijoi takimin me komunitetin shqiptar në Michigan, ku një pjesë të fjalës ia kushtoi rolit të diasporës dhe ndryshimeve që, sipas tij, ka kaluar Shqipëria gjatë viteve të fundit.
Rama foli për Strategjinë Kombëtare të Diasporës 2030 dhe planin për krijimin e një regjistri kombëtar të diasporës, duke theksuar nevojën për forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit dhe institucioneve në Shqipëri.
“Vjet ju patët mundësinë që të votoni për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë dhe ishte hera e parë që fletët e votimit kaluan oqeanin dhe që kontrata e shqiptarëve me përfaqësuesit e tyre u lidh edhe përtej kufijve. Pas samitit të katërt të diasporës po vendosim në zbatim strategjinë kombëtare të diasporës 2030 që është tanimë e përvijuar dhe të cilën na mbetet që ta materializojmë hap pas hapi, duke bërë të mundur që diaspora të ndihet më afër emocionalisht dhe konkretisht. Shqipëria ka nevojë për të pasur shumë më tepër dije, lidhur me shqiptarët jashtë atdheut, dhe këta të fundit kanë nevojë për akses në Shqipëri. Për këtë arsye po krijojmë regjistrin kombëtar të diasporës, një sportel unik ku çdo shqiptar e gjen shtetin e vet me një klik, dritaret e posaçme për investitorët, që janë një kantier në punë e sipër, siç është Shqipëria një kantier në transformim”, tha Rama.
Kryeministri e krahasoi Shqipërinë me një kantier në ndërtim, duke pranuar se ky proces shoqërohet me vështirësi, por duke theksuar se, sipas tij, transformimi po vazhdon.
“Nganjëherë zhurma bëhet shurdhuese, ka bezdi, ka vonesa, ka gabime që duhen korrigjuar, por rëndësi ka që kantieri është në punë, puna vazhdon, themelet janë të forta dhe hap pas hapi ngrehina e Shqipërisë së re po merr formë dhe kuptim. Ju jeni supervizorët më objektivë të kantierit sepse në distancë keni mundësi ta tresni diçka më lehtë, dhe duke u kthyer në periudha të ndryshme kanë mundësi të shohin ndryshimin më mirë, sepse nuk e jetojnë përditë kantierin me pluhurin dhe zhurmat por shohin rezultatin”, tha Rama.
Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te turizmi dhe procesi i integrimit europian. Sipas tij, Shqipëria ka arritur të presë 12 milionë vizitorë në vit, ndërsa aeroporti i Tiranës ka regjistruar për të pestin vit radhazi rritjen më të madhe të trafikut në rajon.
Ai shtoi se Shqipëria ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian, me objektivin që vendi të bëhet anëtar i BE-së në vitin 2030.
“Shqipëria është vendi që sot që flasim ka arritur të tërheqë 12 milionë vizitorë në vit. Për të pestin vit me radhë ka aeroportin me rritjen më të madhe në rajon dhe numrin më të madh të pasagjerëve duke lënë pas atë që ka qenë për thuajse një shekull, aeroporti kryesor i rajonit, Beogradi. Shqipëria që sot është në fazën që pasi ka hapur negociatat për anëtarësim po fillon të hyjë në fazën e mbylljes me synimin që në vitin 2030 të mbarojë e gjithë historia e gjatë e përpjekjes për t’u bashkuar me Europën dhe Shqipëria të jetë në të njëjtën tryezë si një shtet me të drejta të barabarta në tryezën e përbashkët të Europës së bashkuar”, tha Rama.