BOTA, 27 Shtator 2018, 08:48

Helmimi i ish-spiunit rus Sergei Skripal, autorët lidhje me Putinin

Helmimi i ish-spiunit rus Sergei Skripal, autorët lidhje me Putinin

Shtetasi rus, i akuzuar për sulmin me agjent nervor në Sallsbëri të Anglisë, është oficer ushtarak, i cili është nderuar nga presidenti rus, Vladimir Putin, raporton një ueb-faqe hulumtuese, shkruan BBC.

Autoritetet britanike e kanë identifikuar njërin nga dy të dyshuarit si Ruslan Boshirov.

Putin ka thënë se Borishov është civil, ndërsa ai vetë ka deklaruar për një televizion rus se ka vizituar Sallsbërin si turist. Por, ueb-faqja Bellingcat thotë se Boshirov është oficer i inteligjencës dhe se emri i tij i vërtetë është kolonel Anatoliy Chepiga.

Sipas te dhenave, raportohet se ai ka shërbyer në Çeçeni dhe Ukrainë dhe është shpallur “hero i Federatës Ruse” më 2014.

Zyrtarët britanikë nuk i konfirmuan raportet, ndërsa zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, i hodhi poshtë ato.

Nga sulmi në Sallsbëri, në mars të këtij viti, është helmuar ish-spiuni rus, Sergei Skripal, dhe vajza e tij Yulia.