AKTUALITET, 6 Shtator 2019, 11:32

Harrohen rrogat e çmendura te Skënderbeu, ja sa shkojnë pagat tek korçarët këtë sezon

Harrohen rrogat e çmendura te Skënderbeu, ja sa shkojnë pagat


Skënderbeu në këtë sezon vjen pas një situate mjaft të vështirë dhe aspak komode.

Kjo, për shkak të dënimit që është lënë në fuqi nga ana e KAS-it me dhjetë vite pezullim në Europë për bardhekuqtë.

Nëse në vitin kur korçarët bënin historinë në Europë dhe kampionatin tonë, duke kaluar plot katër ture eliminatore duke hyrë në grupet e Europa Ligës dhe duke fituar më pas kampionatin dhe Kupën, vlera e Skënderbeut ka qenë plot 7.8 milionë euro në bazë të futbollistëve që kishte në dispozicion, vlera e ekipit në këtë sezon është gati e zvogëluar trefish.

Në bazë të të dhënave referuar nga “transfermarkt”, korçarët vlejnë vetëm 3 milionë euro. Bie në sy edhe zvogëlimi i numrit të yjve të ekipit dhe rritja e elementëve të rinj në skuadër.

TË RINJTË – Nuk është vetëm vlera totale e ekipit ajo që ka ndryshuar, por edhe pagat e futbollistëve që janë pjesë e Skënderbeut, nuk janë më ato që ishin para tri sezonesh.

Nëse dikur korçarët vendosnin standard jo vetëm në futboll, por edhe në financa, këtë vit janë mjaft poshtë, edhe për shkak të situatës jo të favorshme që po kalon klubi.

Ajo që bie në sy nëse sheh edhe pagat e klubit karshi futbollistëve, është fakti se mes 25 futbollistëve që ka në kampin korçar, plot 19 lojtarë kanë një pagë që varion nga 800 në 1500 euro.

Kjo, në përputhje me moshën, cilësitë dhe kontributin që ata japin për ekipin në këtë sezon. Kryesisht me lojtarë të rinj bardhekuqtë në përbërje kanë minimizuar në maksimum shpenzimet.

Një lëvizje kjo e presidencës për të mos pasur shpenzime të tepërta deri në vendimin e Gjykatës Federale në lidhje me të ardhmen e Skënderbeut.