AKTUALITET, 26 Janar 2019, 15:28

Haradinaj vlerëson psikologët: Nuk do të rreshtim së punuari!

Haradinaj vlerëson psikologët: Nuk do të rreshtim së

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Psikologëve të Kosovës, të udhëhequr nga Ilir Havolli, kryetar, me të cilët bisedoi për zhvillimet e përgjithshme në të gjitha fushat, posaçërisht në arsim dhe shëndetësi.

Haradinaj ka shprehur vullnetin e tij dhe të Qeverisë së vendit për përkrahjen e vazhdueshme të të gjithë sektorëve, dhe në veçanti për sektorin shëndetësor dhe atë të arsimit, duke vlerësuar se roli i psikologut është i rëndësishëm në mbarëvajtjen e procesit arsimor dhe edukativ.

“Jemi të përkushtuar për avancimin e rolit të psikologëve në shoqërinë tonë dhe nuk do të rreshtim së punuari për përmirësimin e infrastrukturës së përgjithshme dhe trajtimin dinjitoz të profesionistëve të cilët ofrojnë shërbime direkte për qytetarët e vendit”, tha kryeministri Haradinaj.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Shoqatës së Psikologëve, vlerësuan angazhimin e kryeministrit Haradinaj, duke thënë se mbështetja e Qeverisë është e nevojshme për rritjen e cilësisë dhe përmirësimin e shërbimeve të cilat në fokus kanë qytetarin.