AKTUALITET, 1 Janar 2020, 22:20

Guardiola ndal magjinë e Ançelotit, Mojes kthehet me sukses te Uest Hem

Guardiola ndal magjinë e Ançelotit, Mojes kthehet me sukses te Uest

Pas dy fitoresh radhazi vjen edhe humbja e parë e Evertonit të Karlo Ançelotit, i cili ka rënë përballë kampionëve në fuqi të Mançester Sitit në transfertë. Një humbje 2-1 që konfirmon se mes skuadrave ka ende shumë diferencë, edhe pse në fakt skuadra e trajneit italian ngulmoi deri në fund në kërkim të barazimit të sfidës.

Në një pjesë të parë ku Mançester Siti dominoi mbajtjen e topit, askush nuk ia doli që të gjente rrjetën përballë mbrojtjes së kujdesshme të Everton, por në të dytën, brenda 7 minutash ishte Gabriel Zhezus ai që shënoi dy herë radhazi në portën e Pikford, duke i dhënë një avantazh të ndjeshëm skuadrës së tij që rrezikoi disa herë që të shënonte edhe një tjetër iol. Por pasaktësia para katërkëndorit të Everton bëri që ky i fundit të hapte ndeshjen me Riçarlison në minutën e 71-të dhe bëri shumë më argëtues minutat e fundit të sfidës. Gjithsesi, rezultati nuk ndryshoi më dhe Mançester Siti mori tri pikë që e afrojnë përsëri me Leisterin e vendit të dytë.

Ndërkaq, në ndeshjet e tjera ka debutuar me shumë sukses Devid Mojes, i cili në ndeshjen e tij të parë pas kthimit te Uest Hem, triumfoi 4-0 me këtë skuadër përballë Bornmuth, duke dalë menjëherë nga zona e ftohtë e renditjes. Kurse Noruiç dhe Kristal Palas ndanë pikët në një barazim 1-1 që nuk ndryshon klasifikimin e dy skuadrave.