AKTUALITET, 1 Janar 2020, 20:33

EMRI+FOTO/ Gylenisti mbaron dënimin në Shqipëri, niset me urgjencë drejt Turqisë në mënyrë të paligjshme

Një shtetas turk, 42 vjeç, mbështetës i lëvizjes Gylen, pasi ka përfunduar dënimin në Shqipëri është marrë në mënyrë të paligjshme dhe është mbajtur disa orë në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit në Laprakë.

Burime për “abcnews.al” thanë se qytetari turk është ndaluar në Rinas, pesë muaj më parë, teksa kalonte tranzit me pasaportë false kanadeze. Ka vuajtur dënimin në vendin tonë prej pesë muajsh, dhe sot është njoftuar se i ka përfunduar dënimi. Burimet saktësojnë se 42-vjeçari turk, është liruar nga burgu 302 në Tiranë, më datë 1 janar 2020, pa u zbatuar procedurat ligjore të lirimit.

Sakaq, menjëherë e kanë marrë prej andej dhe kanë nisur procedurat për deportimin e tij nga Shqipëria. Referuar sërish burimeve të besuara, Harun Çelik nga Drejtoria e Migracionit po transportohet me urgjencë drejt Rinasit, ku autoritetet shtetërore shqiptare po e deportojnë jashtë dëshirës së tij, për ta dorëzuar në Turqi, ku ai përndiqet nga shteti turk.

Shtetasi turk ka të drejtën e apelimit, por kjo e drejtë i është mohuar, pasi Drejtoria e Migracionit ka vendosur ta dergojë menjëherë nga qelia në aeroport drejt Turqisë.