AKTUALITET, 4 Nëntor 2020, 12:13

Dita e 21-të e grevës/ Meta-Ramës: Nis urgjentisht dialogun me gratë naftëtare për zgjidhjen e kërkesave

Dita e 21-të e grevës/ Meta-Ramës: Nis urgjentisht dialogun me


Kur gratë greviste në rafinerinë e naftës në Ballsh kanë hynë në ditën e 21-të të protestës së tyre, presidenti Ilir Meta ka reaguar duke i bërë thirrje urgjente qeverisë që të dialogojë me ta për zgjidhjen e kërkesave.

Sipas tij, kjo gjë duhet bërë menjëherë që të shmanget përkeqësimi i shëndetit të grave.

Kreu i shtetit ka kërkuar një trajtim të përgjegjshëm shtetëror dhe njerëzor të kësaj çështjeje.

“Është tepër e domosdoshme dhe bëj thirrje për vendosjen e menjëhershme të dialogut mes Qeverisë dhe grave greviste e naftëtarëve për një zgjidhje sa më të pranueshme të kërkesave të drejta të tyre, për të shmangur përshkallëzimin e situatës me pasoja për shëndetin e grevistëve.

Është shumë e rëndësishme të bëhet çdo përpjekje, pa vonesa të mëtejshme, për një trajtim të përgjegjshëm shtetëror dhe njerëzor të kësaj çështje, me qëllim zgjidhjen e kësaj situate të rëndë sociale dhe humanitare përpara se të përballemi me probleme shëndetësore që mund të rrezikojnë jetën e të ngujuarve”, shkruan Meta.