AKTUALITET, 1 Gusht 2018, 10:43

Gjykata e Lartë në kolaps, pas shkarkimit të Brocit mbetet me katër anëtarë. Del njoftimi për aplikimet në KLGJ

Gjykata e Lartë në kolaps, pas shkarkimit të Brocit mbetet me

Pas Gjykatës Kushtetuese, e cila ka mbetur me vetëm dy anëtarë të rikonfirmuar nga vetingu, kolapsi i Reformës në Drejtësi prek edhe Gjykatën e Lartë.

Kështu, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi ditën e djeshme që të shkarkojë gjyqtarin Artan Broci dhe të rikonfirmojë në detyrë gjyqtarin Medi Bici. Në këto kushte, Gjykata e Lartë, e cila ishte me nëntë anëtarë para nisjes së vetingut, mbetet me vetëm katër anëtarë, duke mos qenë funksionale, pasi ligji e kërkon që të jetë minimalisht me pesë për të marrë vendime.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, që nga nisja e procesit të vetingut ka shkarkuar nga Gjykata e Lartë gjyqtarët: Admir Thanxa, Tom Ndreca, Artan Zeneli, Shkëlzen Selimi dhe Artan Broci, ndërsa ka rikonfirmuar: Xhezair Zaganjorin, Ardian Dvoranin, Edmond Islamajn dhe Medi Bicin. Gjyqtari Broci, vendimi i të cilit u dha ditën e djeshme, nuk ishte i pranishëm në shpalljen e tij, por shpërndau një deklaratë për mediat duke sulmuar komisionerët dhe duke i cilësuar ata si komisionerë të Kryeministrit Rama.

“Komisarë politikë të Kryeministrit”, i cilësoi ai anëtarët e trupës gjykuese. “I vetmi test që unë nuk kam kaluar është ai i nënshtrimit për çështje të caktuara dhe atë të kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”, shtonte Broci më tej. Gjyqtari Broci, sipas KPK-së, kishte fshehur të ardhurat nga qiratë, duke shmangur tatimet. Mirëpo ai, gjatë seancës dëgjimore kishte paraqitur dokumente nga qiramarrësit që vërtetonin sipas tij, që tatimet ishin paguar. Ndërkohë, po ditën e djeshme, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i dha dritën jeshile gjyqtarit Medi Bici. Ky i fundit, edhe pse kishte ndërtuar pa leje banesën ku banon, nuk kishte pasuri të pajustifikuara dhe madje është ndër gjyqtarët më të varfër.

“Kam nisur punë në minierën e qymyrgurit në Valias, ku kam punuar për 21 vjet. Më pas kam studiuar për Drejtësi dhe jam emëruar gjyqtar në vitin 1994”, tha Bici.

“Jam shpallur në vitin 1997 gjyqtari i vitit. Kam dhënë tre dënime me vdekje, ku dy prej tyre kanë qenë për vrasjen e një kampisti. Kam mbajtur peshën kryesore në Gjykatën e Tiranës për vendimet penale gjatë kohës së bandave. Banesën e kam blerë në një nga zonat më të varfra të Tiranës dhe e kam ndërtuar brenda disa viteve nga e para. Kam pasur bashkëshorten pa punë për një periudhë kohe shumë të gjatë dhe më është dashur të marr para borxh te vëllezërit për shkollimin e tre fëmijëve të mi”, pati thënë Bici gjatë seancës.

URDHRI

Ndërkohë që gjyqtarët e shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mund të qëndrojnë në detyrë deri sa vendimi të marrë formë të prerë, e njëjta gjë nuk vlen për Gjykatën e Lartë. Kjo pasi kreu i kësaj gjykate, Xhezair Zaganjori, ka firmosur një urdhër të prerë se gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, të cilët marrin masë disiplinore “shkarkim nga detyra” nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, përjashtohen nga shortimi i çështjeve në këtë Gjykatë deri në një vendim të formës së prerë, si edhe përjashtohen nga Dhoma e Këshillimit.

Kjo bën që pesë gjyqtarët e shkarkuar (Admir Thanza, Artan Zeneli, Shkëlzen Selimi, Tom Ndreca dhe Artan Broci) të mos e ushtrojnë detyrën e tyre në Gjykatën e Lartë deri sa Kolegji i Posaçëm i Apelimit të mund të kthejë vendimet për shkarkimet e tyre. Kjo bën që Gjykata e Lartë të mbesë me katër anëtarë përpara se vendimet për të shkarkuarit të marrin formë të prerë. Nga ana tjetër, politika ka nisur lëvizjet për zëvendësimin e anëtarit të shkarkuar me vendim të formës së prerë të Kushtetueses, Fatos Lulo.

NJOFTIMI PER KLGJ

Sakaq, sot Gjykata e Lartë ka nxjerrë njoftimin për kandidatët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe ka bërë thirrje për kandidatë nga gjykatat e Apelit jashtë Tiranës. Gjykata njofton se afati për të gjithë gjyqtarët e interesuar është 15 shtatori, ku të gjithë gjyqtarët jashtë Tiranës mund të aplikojnë në pozicionin e anëtarit të KLGJ.

Njoftimi i plotë:

Në mbështetje të nenit 9 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, shpall thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për gjyqtarët e gjykatave të apelit jashtë Tiranës për të paraqitur kandidaturën për tu zgjedhur në pozicionin e anëtarit të KLGJ. Kushtet ligjore që duhet të plotësojnë gjyqtarët e interesuar janë të parashikuara në nenin 7 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Gjyqtarët e interesuar duhet të paraqesin kërkesën dhe dokumentacionin sipas parashikimeve të nenit 10 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” në Gjykatën e Lartë, brenda datës 15 shtator 2018.

Dorëzimi i tyre duhet të bëhet në njërën prej mënyrave të mëposhtme:

1-dorazi, pranë zyrës së protokollit të institucionit të Gjykatës së Lartë (nga ora 08:00-16:00);

ose

2-me postë, në adresën postare zyrtare të Gjykatës së Lartë:

[gjykata e lartë, rruga “ibrahim rrugova”, tiranë];

ose

3-me postë elektronike, në adresën zyrtare elektronike të Gjykatës së Lartë:[email protected] (kërkesa dhe dokumentacioni duhet te jenë në format ËORD ose PDF).

Shënim:

Bashkëlidhur këtij njoftimi, në përputhje me nenet 10/3 dhe 276/3 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, gjenden për t’u plotësuar nga gjyqtarët interesuar formularët e mëposhtëm:

  1. a) deklarata individuale e gjyqtarit që mbështet kandidatin;
  2. b) formulari i vetëdeklarimit, sipas kërkesave të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”;
  3. c) formulari për informacion mbi të afërmit e shkallës së dytë, ungj/emtë, nip/mbesë, gjysh/gjyshe, gjysmë vëlla/motër dhe të afërmit e shkallës së parë të bashkëshortit/bashkëjetuesit, prindër, fëmijë dhe vëllezër/motra që ushtrojnë në mënyrë aktive profesionin e avokatit ose janë pronarë ose drejtues ekzekutivë në subjektet ekonomike, të cilat klasifikohen si tatimpagues të mëdhenj nga autoriteti tatimor.

PANORAMA