AKTUALITET, 1 Gusht 2018, 09:55

Spitalet, kritere të reja për shefat e shërbimeve. Rregullat e forta për përzgjedhjen

Spitalet, kritere të reja për shefat e shërbimeve. Rregullat e

Ndryshojnë disa nga kriteret për emërimin e shefave të shërbimit në Qendrat Spitalore Universitare. Vendimi i një dite më parë i Këshillit të Ministrave kushtëzon përvojën 5- vjeçare akademike të punës me kohë të plotë e në mungesë të saj, tetë vjet si pedagog, por pa ndërprerje.

Ndërsa i rrit vlerën një doktorature në Shqipëri, duke e vënë në të njëjtën peshore me një doktoraturë të fituar në universitetet e njohura të Bashkimit Europian apo shtete të mëdha në botë, ndryshe nga më parë ku studimet e ciklit të tretë në vendin tonë ishin alternativa e fundit për të pranuar një shef shërbimi.

KRITERET

Për t’u bërë shef shërbimi mjafton edhe kryerja e një doktorature në vend. Në listën e vendeve ku njihet grada, përpos universiteteve të njohura të BE-së, Kanadasë, Turqisë, Australisë dhe Japonisë është shtuar edhe Shqipëria. “Të zotërojë titullin “Profesor”, “Profesor i asociuar” ose të ketë Doktoratë/PhD të mbrojtur në një nga universitetet e Shqipërisë, të BE-së, SHBA-ve, Kanadasë, Turqisë, Australisë ose Japonisë”.

Po ashtu, në rast se kandidati nuk ka përvojën e duhur akademike si pedagog me kohë të plotë, mund të bëhet shef shërbimi edhe në rast se ka punuar me kohë të pjesshme. Por ndryshimi i ri kërkon tetë vite punë rresht pa ndërprerje, ndryshe nga më parë ku mjaftonin gjithsej po kaq vite punë si pedagog i jashtëm. Për të vlerësuar kandidatët në garë për të drejtuar një shërbim të caktuar, do të hartohet një udhëzim i përbashkët midis dy ministrive: ajo e Arsimit dhe Shëndetësisë, duke shfuqizuar përcaktimet dhe kriteret e përcaktuara nga VKM-ja e mëparshme.

Një tjetër ndryshim është kontrata e personit që bëhet shef i një pavijoni. Ajo nuk do të jetë më vetëm midis tij dhe strukturës drejtuese, por trepalëshe, duke futur në këtë mes edhe drejtuesin e universitetit. Ligji i ri i arsimit të lartë i trajton strukturat shëndetësore universitare si pjesë e institucioneve të arsimit të lartë, për vetë faktin se përpos trajtimit mjekësor, ato shërbejnë edhe si qendra mësimore e kërkimore shkencore. Kështu, edhe shefat e shërbimeve duhen medoemos të kenë qenë pjesë e sistemit akademik për një periudhë të konsiderueshme kohe, ashtu siç nevojitet përvoja klinike për jo më pak se një dekadë në një specialitet të caktuar.

NDRYSHIMET

ISHTE Të zotërojë titullin “Profesor”, “Profesor i Asociuar” ose të ketë Doktoratë/PhD, të mbrojtur në një nga universitetet e BE-së, SHBA-ve, Kanada, Australi apo Japoni. Në rast se asnjë nga pjesëtarët e stafit mjekësor nuk plotëson kriteret e sipërpërmendura, mund të pranohen edhe kandidatë me doktoratë/PhD, të mbrojtur në Shqipëri apo vende të papërmendura më sipër.

BËHET Të zotërojë titullin “Profesor”, “Profesor i asociuar” ose të ketë Doktoratë/PhD, të mbrojtur në një nga universitetet e Shqipërisë, të BE-së, SHBA-ve, Kanadasë, Turqisë, Australisë ose Japonisë.

ISHTE Në rastet kur asnjë nga pjesëtarët e stafit mjekësor nuk plotëson kriterin e sipërpërmendur, (Të ketë përvojë akademike si pedagog me kohë të plotë, jo më të vogël se 5 vjet) mund të pranohen edhe kandidatë me përvojë akademike, jo më të shkurtër se 8 (tetë) vjet, si pedagog me kohë të pjesshme. Konsiderohet përvojë akademike aktiviteti didaktik i kryer në institucione publike të arsimit të lartë apo në institucione jopublike të arsimit të lartë, të akredituara dhe në programe studimi të akredituara brenda vendit, në periudhën e përvojës së kryer. I njëjti kriter vlen dhe për institucionet dhe programet.

BËHET Fjalët “jo më të shkurtër se 8 (tetë) vjet si pedagog me kohë të pjesshme …” zëvendësohen me “ jo më të shkurtër se 8 (tetë) vjet pa ndërprerje si pedagog me kohë të pjesshme, në fushën ku ai konkurron …”

ISHTE Kandidatët konkurrues për një shërbim të caktuar vlerësohen nga komisioni përkatës, sipas përcaktimeve dhe kritereve të parashikuara në aneksin nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi.

BËHET Kandidatët konkurrues për një shërbim të caktuar vlerësohen nga komisioni përkatës, sipas përcaktimeve dhe kritereve të përcaktuara në udhëzimin e përbashkët të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Aneksi 1 bashkëlidhur vendimit shfuqizohet.

ISHTE Kandidati fitues lidh kontratën me drejtuesin e strukturës shëndetësore universitare, pjesë e së cilës është shërbimi përkatës.

BËHET Kandidati fitues lidh kontratë punësimi trepalëshe me drejtuesin e strukturës shëndetësore universitare, pjesë e së cilës është shërbimi përkatës dhe me drejtuesin e IAL-së përkatëse. Mospërmbushja e detyrimeve kontraktore që lidhen me funksionimin e strukturës shëndetësore universitare, përbën shkak për prishjen e kontratës trepalëshe.