AKTUALITET, 25 Gusht 2018, 18:55

Gjoni bën goleadorin, përmbysje e Laçit ndaj Luftëtarit

Gjoni bën goleadorin, përmbysje e Laçit ndaj Luftëtarit

Tri pikë të artë për Laçin. Kurbinasit mundën 2-1 Luftëtarin dhe ia arritën këtij qëllimi me një gol të shënuar në minutat shtesë nga Eglentin Gjoni. Bluzinjtë u shfaqën mirë në pjesën e parë dhe Shkurtaj e Ymeraj ishin një rrezik konstant.

Në fundin e pjesës së parë ishte Shkurtaj ai që pas një kundërsulmi i vetëm me Selmanin nuk gaboi. 0-1 u mbyll pjesa e parë dhe me fillimin e pjesës së dytë Mërgjyshi bëri një lëvizje taktike, që i doli për mbarë.

Shtubina, i zhvendosur në mesfushë, ishte ai që shënoi golin e barazimit. Laçi nuk shkëlqeu, por shfrytëzoi rastet. Nga minuta e 87’ Luftëtari luajti me një lojtar më pak, pasi Xhekson u ndëshkua me karton të kuq. Në shtesë, pas një faulli të fituar nga Fangaj, krosi në zonë u shfrytëzua nga Gjoni, i cili me kokë i dha fitoren skuadrës së tij.