AKTUALITET, 28 August 2026, 17:52

Gjirokastër/ Zjarr në ullishtet dhe drurët frutorë në fshatrat Bylysh e Çërrilë të Memaliajt, forcat zjarrfikëse vështirësi për shuarjen e flakëve

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë fshatrat Bylysh dhe Çërrilë të Bashkisë Memaliaj, duke shkaktuar dëme në ullishte dhe pemëtari.

Flakët janë përhapur me shpejtësi në zonë, duke përfshirë sipërfaqe me ullinj dhe drurë frutorë. Përhapja e shpejtë e zjarrit po e vështirëson ndjeshëm ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse, të cilat po punojnë për të vënë nën kontroll situatën.

Terreni dhe kushtet e pafavorshme po favorizojnë avancimin e flakëve, ndërsa vijojnë përpjekjet për izolimin e vatrës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit. Situata mbetet në zhvillim, ndërsa ende nuk dihet sipërfaqja e saktë e përfshirë nga flakët dhe dëmet e shkaktuara.