TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Projektligji i propozuar nga Partia Socialiste në pushtet për ndryshimin e hartës administrativo-territoriale, që synon të zvogëlojë numrin e njësive të qeverisjes vendore nga 61 në 46 bashki, është në fazën e konsultimeve, pavarësisht protestave në bashkitë që pritet të shkrihen.
Konsultimi me qytetarët dhe këshillat bashkiakë pritet të përfundojë në shtator dhe projekti socialist për hartën e re do të diskutohet më pas në Kuvend. Synimi i mazhorancës është që ndryshimet në hartën territorial të jenë të zbatueshme në zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Por procesi i shqyrtimit të hartës së re po zhvillohet në një kalendar të ngushtë kohor, duke ngritur pikëpyetje për standardet e procesit të ardhshëm zgjedhor, sa kohë që KQZ-ja do të duhet të përshtasë procedurat dhe teknologjinë, administrata vendore duhet të riorganizohet, ndërsa qytetarët dhe partitë duhet të dinë se në çfarë njësish do të votojnë.
Ndryshimin i kufijve administrativë vetëm disa muaj para zgjedhjeve sjell, sipas ekspertëve të sistemit elektoral, jo vetëm një presion të shtuar ndaj institucioneve të përfshira në menaxhimin e procesit zgjedhor, por edhe cënimin e besimit demokratik të qytetarëve.
Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike i tha BIRN se reforma territoriale duhej të ishte përfunduar shumë më herët dhe të mos zhvillohej paralelisht me reformën zgjedhore, pasi përcaktimi në kohë i hartës do të mundësonte qartësimin e zonave zgjedhore, kompetencave dhe elementëve të tjerë që ndikojnë në organizimin e procesit.
“Në kushtet aktuale gjithçka po shkon në presion,” tha Krasniqi, duke shtuar se “nëse reforma territoriale miratohet në vjeshtë, do të thotë që ngelet shumë pak kohë për aktet nënligjore dhe shkrirjen e njësive vendore.
Sipas tij, vonesat në këtë proces do të jenë “një ngërç tjetër me pasojë negative për standardet e zgjedhjeve”.
Presion mbi afatet
Zgjedhjet e fundit vendore u mbajtën më 14 maj 2023 dhe rezultati përfundimtar i tyre u miratua në gusht të atij viti. Kodi Zgjedhor parashikon që data e zgjedhjeve duhet të caktohet jo më vonë se 9 muaj para përfundimit të mandatit të organeve të zgjedhura, ndërsa ndryshimet në legjislacionin zgjedhor duhet të miratohen jo më vonë se 6 muaj para datës së zgjedhjeve.
Ndërkohë që vendi nis të përgatitet për zgjedhjet lokale, mazhoranca synon të miratojë ndarjen e re territoriale në sesionin e vjeshtës, duke ngushtuar shumë afatet për miratimin e akteve nënligjore dhe për organizimin e njësive që do të shkrihen apo bashkohen.
“Bashkitë e prekura do të duhet të përshtasin strukturat administrative dhe organizimin e tyre, ndërsa institucionet zgjedhore do të duhet t’i integrojnë ndryshimet në përgatitjet për zgjedhjet”- thotë Krasniqi, duke shtuar se kjo mund të sjellë “një ngërç tjetër me pasojë negative për standardet e zgjedhjeve”.
Por përtej dimensionit teknik, për Krasniqin është me rëndësi ‘besimi demokratik’ i qytetarëve.
“Nëse komunitetet nuk ndjehen të pyetura ose të përfaqësuara në përcaktimin e bashkisë së tyre, ngrihet pyetja nëse ata do ta konsiderojnë legjitime garën për një strukturë vendore që nuk e dëshirojnë,” thotë ai.
Ndërsa Rigels Xhemollari nga organizata “Qëndresa Qytetare” e lidh drejtpërdrejt vonesën me kapacitetin e KQZ-së për të përgatitur zgjedhjet.
Nëse harta e re miratohet pasi Presidenti të ketë dekretuar datën e zgjedhjeve, thotë ai, Komisioni do të përballet me vështirësi shtesë në ndarjen dhe prokurimin e pajisjeve dhe teknologjisë së votimit.
“Do të vërë në vështirësi KQZ-në për të ndarë dhe prokuruar votimin dhe numrin elektronik që pritet të përdoret në masë në këto zgjedhje,” shprehet Xhemollari, duke shtuar se ndryshimet territoriale do të prodhonin gjithashtu procedura dhe burokraci të reja për KQZ-në dhe institucionet e tjera të përfshira në administrimin e zgjedhjeve.
Për ish kryetarin e KQZ-së, Kristaq Kume, rreziku administrativ konsiderohet ‘i menaxhueshëm’.
“Vonesa nuk krijon një pengesë teknike të pakapërcyeshme, pasi KQZ ka përvojë dhe instrumente për t’u përshtatur. Por standardi zgjedhor nuk matet vetëm me mundësinë për të zhvilluar votimin,” tha Kume për BIRN.
Nga ana tjetër, Kume sheh me shqetësim se dy propozimet për ndarjen e re territoriale më shumë se sa nevojë për eficencën apo përfaqësim për qytetarët, fshehin kalkulime politike të partive të mëdha të përfshira në proces.
Harta si instrument elektoral
Reforma administrativo-territoriale ka nxitur një debat politik mbi eficiencën dhe autonominë e e pushtetit vendor. Në tryezën e reformës janë vendosur dy alternativa të kundërta: PS propozon reduktimin e numrit të bashkive në 46, ndërsa PD kërkon zgjerimin në 100 njësi vendore.
Por ekspertët e lexojnë këtë debat më shumë përmes interesit elektoral të dy forcave kryesore politike.
Kristaq Kume thotë se reforma nuk duhet parë vetëm si një hartë administrative, pasi ajo do të ndërtojë arkitekturën e pushtetit vendor për vitet e ardhshme dhe, potencialisht, do të ndikojë në garën elektorale përpara se kandidatët të kërkojnë votën e qytetarëve.
“Vizatimi i kufijve të bashkive është një nga ushtrimet më me peshë të gjeografisë zgjedhore,” thotë Kume, duke shtuar se për sa kohë që kryetarët e bashkive zgjidhen me sistem mazhoritar relativ (first-past-the-post), mënyra se si grupohen njësitë administrative përcakton drejtpërdrejt se si përkthehet vota popullore në pushtet”.
Në këtë prizëm, ai konsideron se propozimet antagonistike të dy partive kryesore, PS me variantin e reduktimit në 46 bashki dhe PD me variantin e zgjerimit në 100 bashki, zbulojnë dy strategji elektorale krejtësisht të ndryshme.
Duke analizuar propozimin e mazhorancës socialiste që parashikon shkrirjen e 15 bashkive duke e çuar numrin e bashkine nga 61 në 46, Kume argumenton se përtej justifikimit se ky model i ri lidhet me eficencën financiare dhe kapacitetet menaxhuese, ka një synim politik.
Ai e quan këtë proces “tretje” të votës opozitare.
Logjika është që zonat rurale ose periferike ku opozita ka mbështetje tradicionale të përfshihen në njësi më të mëdha, ku pesha e qendrave urbane është më e madhe. Në këtë mënyrë, diferenca e votave në favor të mazhorancës në qendrat urbane mund të neutralizojë avantazhin opozitar në zonat periferike.
Ky model, sipas Kumes, vijon në një masë logjikën e reformës së vitit 2014, e cila krijoi 61 bashki nga 373 njësi të mëparshme dhe solli një konsolidim të fortë territorial. Në kushtet kur PS ka një organizim më të gjerë në territor dhe ka fituar shumicën dërrmuese të bashkive në zgjedhjet vendore të 2023, Kume sugjeron se, një hartë më e konsoliduar mund të favorizojë ruajtjen e këtij dominimi.
Në krahun tjetër, PD e justifikon propozimin për 100 bashki me nevojën për të ruajtur identitetet lokale dhe për ta afruar pushtetin me qytetarin. Kume argumenton se, në planin elektoral, një hartë me më shumë bashki do të krijonte më shumë gara të vogla dhe potencialisht më konkurruese.
Përplasja nuk prek vetëm kryetarët e bashkive. Ajo ka pasoja edhe për këshillat bashkiakë, ku zbatohet sistemi proporcional. Bashkitë më të mëdha do të kenë këshilla me më shumë vende, duke ulur pragun efektiv për përfaqësimin e forcave më të vogla. Në bashkitë e vogla, përkundrazi, numri më i kufizuar i mandateve mund të rrisë pragun natyror dhe të favorizojë dy partitë kryesore.
Në këtë kuptim, Kume e zhvendos debatin nga një diskutim thjesht administrativ drejt pyetjes se çfarë efekti do të ketë harta mbi konkurrencën politike.
Edhe Xhemollari e sheh hartën përmes efektit të saj në konkurrencën politike.
Sipas tij, bashkitë më të mëdha favorizojnë partitë e mëdha dhe e bëjnë më të vështirë hyrjen e forcave të reja në garë. Ndërkohë, ai vëren se PS duket se po tërhiqet nga propozimi fillestar për shkak edhe të protestave kundër hartës, duke e konsideruar shtatorin vendimtar për fatin e reformës territoriale./BIRN