AKTUALITET, 12 Janar 2018, 08:56

FOTO/Zbulohet e shkuara e lushnjarit i dënuar për trafikim femrash

Zbulohet e shkuara e 53-vjeçarit nga Lushnja, që u ekstradua të martën nga Italia, pasi ishte dënuar me 7 vjet burg për shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese.

Policia tha se i kërkuari është shtetasi Arben Biçaku, i cili në vitin 2000, bashkë me kushëririn e tij, Edmir Biçaku, kanë trafikuar për qëllim shfrytëzimi për prostitucion dy vajza të huaja, një moldave dhe një rumune.

Vendimi për deklarimin e tij fajtor, i ka kaluar të gjitha shkallët e gjyqësorit, madje duke u kthyer 12 herë për gjykim, derisa ka marrë vendim Gjykata Kushtetuese.

Ai pretendonte se vendimi për dënimin e tij ka qenë i paligjshëm, pasi i ishin shkelur të drejtat. Megjithatë, kërkesat e tij janë rrezuar, duke lënë në fuqi vendimin prej 7 vitesh burg ndaj 53-vjeçarit dhe 7 vjet e 6 muaj për të afërmin e tij, Edmir Biçaku.

EKSTRADIMI

Policia e Shtetit njoftoi dje se është kryer ekstradimi nga Milano drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar, Arben Biçaku, 53 vjeç, nga Lushnja. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi me vendimin e datës 10 dhjetor 2013, të Gjykatës së Lushnjës, është dënuar me 7 vjet burg për veprën penale, “Shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese, kryer në bashkëpunim”.

Sipas Policisë, Arben Biçaku, në bashkëpunim me të afërmin e tij shtetasin, Edmir Biçaku, ka tentuar të trafikojë në Itali me qëllim shfrytëzimin për prostitucion shtetasen rumune me iniciale A.M. dhe shtetasen moldave me iniciale S.R.

(Arben Biçaku, i ekstraduar nga Italia)

Gjatë një kontrolli të ushtruar nga Policia, më datë 6 qershor të vitit 2000, në banesën e shtetasit Edmir Biçaku, janë gjetur shtetaset S.R. dhe A.M., të cilat kanë deklaruar se kanë hyrë ilegalisht në Shqipëri, pasi i kishte blerë shtetasi Edmir Biçaku, me synim që t’i dërgonte në Itali për prostitucion.

VENDIMI

Në vendimin e datës 19 maj 2016 të Gjykatës Kushtetuese, renditen edhe pretendimet e të ekstraduarit Arben Biçaku, për shkelje të të drejtave të tij. “Kërkuesi Arben Biçaku i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për shfuqizimin e vendimeve objekt kërkese, me pretendimin e cënimit të së drejtës për një proces të rregullt ligjor në disa aspekte, duke argumentuar si vijon:

Është cenuar parimi i barazisë së armëve, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë dhe Gjykata e Apelit Vlorë i kanë bazuar vendimet e tyre vetëm në thëniet e dëshmitarëve dhe kërkuesi nuk ka pasur mundësinë për t’u ballafaquar me këto dëshmi.

Ai është deklaruar fajtor mbi bazën e të dhënave të mbledhura në mënyrë të paligjshme, pasi thëniet e dëshmitareve, të cilat janë shtetase të huaja, janë marrë në kundërshtim me KPP-në. Kontrolli i banesës është bërë pa autorizim dhe pa mbajtur procesverbal nga punonjësit e Policisë.

Është cënuar e drejta e mbrojtjes, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë nuk ka respektuar rregullat për ndryshimin e akuzës dhe njoftimin e akuzës së re të pandehurit në mungesë. Është cenuar parimi i sigurisë juridike, pasi shfuqizimi i vendimit për pushimin e hetimeve është marrë kryesisht nga Prokurori i Përgjithshëm, 3 vjet pas marrjes së vendimit nga Prokuroria e Rrethit Lushnjë”, thuhet në vendim./TPZ.AL