LIFESTYLE, 6 Mars 2018, 15:21

FOTOT: Të gjithë njerëzit e dorëhequr të presidentit

FOTOT: Të gjithë njerëzit e dorëhequr të presidentit

Drejtoresha e komunikimit të Shtëpinë e Bardhë, Hope Hicks, dha dorëheqjen javën që shkoi. Largimi i saj vjen pas një sërë largimesh të njerëzve të presidentit Trump nga poste kyçe. Një analizë e Brookings Institute tregon se nga Shtëpia e Bardhë nën drejtimin e Trump-it janë larguar dyfish më shumë zyrtarë se gjatë administratës së Reganit.

Hope Hicks

Nga një modele adoleshente, bukuroshja Hope Hicks i ngjiti shumë shpejt shkallët e karrierës. Ish-punonjësja e “Trump Organisation” mori detyrën e Drejtoreshës për Strategjitë e Komunikimit, menjëherë pasi Trump mori detyrën. Ky post u lançua për herë të parë dhe 30-vjeçarja që kishte qenë aktive gjatë fushatës së Trumpit u pa si personi i përshtatshëm për të. Por në shkurt të këtij viti, Hicks deklaroi se gjatë dëshmisë së saj në Komitetin e Kongresit në lidhje me çështjen “Russiagate”, ajo kishte thënë “gënjeshtra të bardha” për të favorizuar pozicionin e presidentit. Një ditë më pas, ajo njoftoi se do të dorëhiqej.

Michael Flynn

Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare qëndroi në detyrë vetëm 23 ditë. Megjithatë, emri i tij përmendet shpesh në Shtëpinë e Bardhë. Ai dha dorëheqjen pasi u zbulua se kishte mashtruar zëvendëspresidentin Mike Pence, lidhur me komunikimet e tij me ambasadorin rus. Flynn u deklarua fajtor për akuzën se ka gënjyer FBI-në dhe u zotua për “bashkëpunim të plotë” me hetuesin Mueller në hetimin për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale.

Sean Spicer

Ish-sekretari i shtypit për Shtëpinë e Bardhë u dorëhoq në korrik 2017. Gjatë muajve që drejtoi Departamentin e Komunikimit, ai bëri disa deklarata që shkaktuan debat. E para ishte ajo për pjesëmarrjen e amerikanëve në inaugurimin e Trump-it. Spicer tha se ceremonia ishte më e ndjekura në historinë e Shtëpisë së Bardhë, por kjo deklaratë u kritikua gjerësisht në media.

Anthony Scaramucci

Qëndrimi vetëm 10-ditor i Scaramucci-t si drejtor komunikimi në Shtëpinë e Bardhë do të mbahet mend për intervistën e tensionuar me një gazetar të “New Yorker”. Ai bëri disa deklarata të turpshme dhe akuzoi për tradhti pjesëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë. Ai u shkarkua nga presidenti Trump me rekomandimin e shefit të Shtabit të Shtëpisë së Bardhë, Xhon F. Kelly.

Steve Bannon

Banon u dorëhoq nga detyra si shef i strategjive në Shtëpinë e Bardhë në gusht 2017, vetëm 8 muaj pasi ishte emëruar. Ai u rikthye në krye të “Breitbart News”, duke thënë se “mora sërish në duar armët e mia”. Por ai dëmtoi imazhin e vet me disa komente të papërshtatshme për ish-bashkëpunëtorin dhe autorin e librit “Zjarr dhe tërbim”, Mihael Wolff. Kështu, Banon humbi edhe mbështetjen e themeluesve të grupit “Breitbart”.

Reince Priebus

Priebus e mbajti detyrën e shefit të stafit të Shtëpisë Bardhë nga janari 2017 deri më 31 korrik  2017. Më 28 korrik, Trump deklaroi se do të emëronte John Kelly-n shef të stafit. Kjo o pasua me dorëheqjen e Priebus-it, i cili qëndroi në detyrë edhe 3 ditë të tjera, kur Kelly bëri betimin. Gjatë kohës që ushtroi detyrën, Priebus shkaktoi plemika për stilin e tij të menaxhimit.

[gallery ids="77735,77736,77737,77738,77739,77740"]