AKTUALITET, 19 Shtator 2019, 09:04

FOTO/ Vritet në prag të shtëpisë avokati i një dëshmitari shtetëror në Holandë, policia: Krim brutal


Një ndër avokatët më të njohur në Holandë është qëlluar për vdekje para derës së shtëpisë së tij.

Mediat holandeze shkruajnë se është ekzekutuar 44-vjeçari Derk Wiersum, i cili ishte avokat i një dëshmitari shtetëror në një çështje kundër anëtarëve të një bande të madhe droge, të cilët akuzohen edhe për pesë vrasje të tjera midis viteve 2015 dhe 2017.

Vetë policia e ka cilësuar ngjarjen “një krim brutal”, ndërsa ka thënë se një i dyshuar i maskuar me kapuç është larguar me këmbë.

“Me këtë vrasje brutale, është kapërcyer një kufi i ri: tani edhe njerëzit thjesht duke bërë punën e tyre nuk duken më të sigurt”, tha shefi i policisë Erik Akerboom.

“Hollanda është kthyer në një narko-shtet. Krimi i organizuar ka marrë plotësisht kontrollin”, u shpreh Jan Struijs, anëtar i sindikatës së policisë NPB.