AKTUALITET, 28 Shtator 2019, 14:09

FOTO/ “Do të vras”, dhunon e kanos me kallashnikov gruan, arrestohet 29-vjeçari në Shkodër


Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një 29-vjeçar, duke parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale në familje.

Specialistët për parandalimin dhe Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shkodër arrestuan shtetasin Z. Ç., 29 vjeç, banues në fshatin Rragam/Shkodër.

Pas marrjes së njoftimit se në fshatin Rragam, një shtetas po kanoste me armë zjarri dhe po dhunonte fizikisht në banesë bashkëshorten, efektivët e policisë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë.

Shtetasi Z. Ç., kur ka parë shërbimet e Policisë, ka lënë armën e zjarrit në banesë dhe është larguar në drejtim të pyllit, por është kapur pas disa orë ndjekjesh nga shërbimet e Policisë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit kallashnikov dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi i shtetasit Z. Ç., për veprat penale “Kanosje”, “Dhunë në familje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.