AKTUALITET, 17 Gusht 2018, 17:10

Fluksi i refugjatëve, Mali i Zi dërgon ushtrinë në kufi me Shqipërinë

Fluksi i refugjatëve, Mali i Zi dërgon ushtrinë në kufi me

Ashtu siç ishte paralajmëruar, Mali i Zi ka dërguar pjesëtarë të ushtrisë në kufi me Shqipërinë në kuadër të kontrollit dhe monitorimit të kufirit për shkak të fluksit të refugjatëve. Anëtarët e ushtrisë janë vendosur në pikën e kalimit kufitar Bozaj, ndërsa kufiri do të monitorohet nga patrullat e të dyja shteteve, Malit të Zi dhe Shqipërisë.

“Trupat malazeze do të përdoren që nga sot për të kontrolluar rajonin kufitar dhe kufirin shtetëror me Republikën e Shqipërisë pranë pikës së kontrollit të Bozaj. Siguria kufitare do të mundësohet nga patrulla të përbashkëta të policisë dhe forcave të armatosura që do të parandalojnë kalimet e paligjshme në kufirin Mali i Zi-Shqipëri, si dhe aktivitete të tjera të paligjshme në rajonin kufitar”, thuhet në deklaratën e ministrisë së Mbrojtjes.

Gjatë vitit të kaluar, ka pasur një rritje të numrit të migrantëve në Mal të Zi. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 2,113 persona të ardhur nga Siria, Pakistani, Algjeria dhe Maroko, shifër kjo që është gati dhjetë herë më e lartë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Autoritetet malazeze gjithashtu kanë thënë se po marrin në konsideratë ndërtimin e një gardhi përgjatë kufirit të përbashkët me Shqipërinë.