AKTUALITET, 27 Dhjetor 2018, 14:15

Flota e ambulancave, Shehu: Ceremoni tragjiko-komike, e denjë për Afrikën Qëndrore

Flota e ambulancave, Shehu: Ceremoni tragjiko-komike, e denjë për

Deputeti demokrat dhe ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu e ka quajtur një ceremoni tragjiko-komike atë të sotmen ku u prezantua flota e re e ambulancave.

Shehu pyet nëse një kryeministër i një vendi europian mund të krenohet me pompozitet sepse janë importuar disa autoambulanca.

Sipas tij, importi i disa ambulancave nuk mund të përbëjë eveniment kryeministerial për shëndetësinë që është në katastrofë të plotë.

Postimi i Shehut:

Të tilla “ceremoni” tragjiko-komike si kjo e sotmja për autoambulancat i shkojnë për shtat vetëm vendeve të Afrikës Qendrore.

A mundet Kryeministri i një vendi europian të krenohet kështu me pompozitet vetëm sepse janë importuar disa autoambulanca?!

Thuhet që kanë ardhur 36 copë, në fakt u panë nja 10 të tilla, kur me bujë ishin premtuar 100.

Askush nuk demonstron dhe as shpjegon gjithashtu çfarë niveli transporti mund të sigurojnë këto, duke u bazuar në pajisjet që duhet të kenë.

Por pavarësisht nga këto, importi i disa autoambulancave nuk mund të përbëjë një eveniment kryeministerial për shëndetësinë tonë, që është në katastrofë të plotë.

Nuk nxirret kështu sistemi ynë nga “Këneta Afrikane” ku e ka katandisur kjo Rilindje.