AKTUALITET, 3 Tetor 2019, 19:53

Fjalimi që përloti kombëtaren e Argjentinës, Di Maria tregon prapaskenën me Mesin

Fjalimi që përloti kombëtaren e Argjentinës, Di Maria tregon

Shumëkush kritikon paraqitjet e Lionel Mesit në radhët e përfaqësueses së Argjentinës, e sidomos sjelljen e tij pasi me raste duket sikur dorëzohet shumë shpejt, ndryshe nga ajo që ndodh me Barcelonën. Por Angel Di Maria insiston se ai është një lider i vërtetë brenda dhomave të zhveshjeve dhe fjalët e tij kanë shumë peshë te të gjithë lojtarët.

Kështu, ai ka zbuluar në një intervistë për ESPN se si një fjalim i Mesit pas humbjes përballë Brazilit në Kupën e Amerikës kishte përlotur futbollistët dhe kishte qenë shembulli konkret se si duhej të ishte një lider.

“Mesi tha disa fjalë të bukura kur u eliminuam nga Brazili. Mesi na tha që ishte krenar për ekipin që kishim ndërtuar. Sapo ai mbaroi, të gjithë po qanin pasi preku zemrat e të gjithëve, sidomos atyre te rinjve”, tregoi Di Maria.

“Ai tha se të gjithë kishim punuar në të njëjtin drejtim që nga dita e parë. Tha se ishte shumë krenar për atë që ishte dhënë për këtë fanellë dhe fakti që ishin aty tregonte se e kishin merituar ekipin kombëtar.

Ka pasur shumë kritika rreth tij se nuk këndon himnin, apo që nuk fliste. Kjo Kupë Amerike ishte ndryshe. E tregoi. Ajo që më bëri më të lumtur ishte si e shihja të fliste para grupit, para gazetarëve, fjalët që tha. E rëndësishmja është që Leo të jetë kështu. Mua më pëlqen shumë ky lloj Mesi”, tha Di Maria i cili mbetet një prej miqve të ngushtë të Mesit në radhët e përfaqësueses.