AKTUALITET, 28 August 2026, 22:12

Fikja e sistemeve të trafikut ajror në Shqipëri, Aeroporti i Tiranës: Pezullimi i fluturimeve, si masë sigurie pas problemit teknik, po punohet për rikthimin në normalitet

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka reaguar për problemin teknik që preku sistemet e trafikut ajror në Shqipëri, ç’ka solli vonesa në fluturimet nga dhe drejt Rinasit, ndërsa aeroporti u mbush me pasagjerë në pritje.

Përmes një rearimi në faqen zyrtare, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka njoftuar se fluturimet në hapësirën ajrore shqiptare u pezulluan për pak minuta, si masë sigurie pas problemit teknik.

Më tej në njoftim TIA shkruan se po menaxhon pasagjerët e prekur nga vonesat dhe ndryshimet në oraret e fluturimeve, teksa thekson se po punohet për rikthimin e operacioneve në normalitet.

Në përfundim TIA këshillon pasagjerët të kontrollojnë rregullisht njoftimet dhe komunikimet e kompanive të tyre ajrore për informacionin më të fundit mbi statusin e fluturimit.

Sistemet e trafikut ajror në Shqipëri u fikën gjatë ditës së sotme rreth orës 17:30 për shkak të një problemi teknik. Lajmin e konfirmoi vetë Albcontrol ndërkohë që situata shkaktoi të paktën 5 fluturime të anulluara dhe vonesa në të paktën 10 fluturime në nisje nga Rinasi. 

Gjatë ndërprerjes, avionët nuk u lejuan të kryejnë ulje apo ngritje nga Rinasi, ndërsa u ndalua edhe kalimi i mjeteve fluturuese përmes hapësirës ajrore të vendit.

Albtcontrol thotë se ekspertët e tij morën menjëherë masat për të shmangur çdo rrezik për avionët dhe nisën punën për rikthimin e sistemeve. Sipas Albcontrol rreth orës 18:00, 90% e sistemeve ishin rikthyer në funksion normal, por nga ana tjetër historiku i fluturimeve në faqen online të Rinas-it tregon që fluturimet ishin me vonesë deri në orën 18:45. Pas kësaj ore, në sektorin e nisjeve, nuk ka asnjë fluturim të parashikuar, ndërsa në sektorin e mbërritjeve ka vonesa dhe anullime.

Reagimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës:

NJOFTIM I RËNDËSISHËM PËR PASAGJERËT!

Për shkak të një problemi teknik të përkohshëm në sistemin e monitorimit të trafikut ajror nga Albcontrol, fluturimet në hapësirën ajrore shqiptare u pezulluan për pak minuta si masë sigurie.

Problematika u adresua menjëherë dhe aktualisht po bëhen të gjitha përpjekjet për rikthimin sa më të shpejtë të operacioneve në normalitet.

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha autoritetet përkatëse dhe kompanitë ajrore, ndërsa po menaxhon pasagjerët e prekur nga vonesat dhe ndryshimet në oraret e fluturimeve.

TIA ka angazhuar numrin maksimal të stafit në dispozicion për të mbështetur operacionet në terminal dhe për të garantuar menaxhimin sa më të shpejtë të situatës. Ekipet tona janë në gatishmëri të plotë dhe po bëjnë maksimumin për të përshpejtuar rikthimin e operacioneve në normalitet.

Pasagjerët këshillohen të kontrollojnë rregullisht njoftimet dhe komunikimet e kompanive të tyre ajrore për informacionin më të fundit mbi statusin e fluturimit.

Siguria e pasagjerëve mbetet prioriteti kryesor.