TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një vit pas tërmetit, në familjen Murati në Fushë-Milot të Kurbinit asgjë nuk ka ndryshuar.
Shtëpia e tyre u dëmtua rëndë dhe u shpall e pabanueshme. Që prej asaj kohe gjashtë pjesëtarët familjes janë të detyruar të jetojnë në çadër, të cilën e kanë vendosur në oborrin e banesës së shkatërruar.
Tahir Murati tregon se jeta në këtë kushte gjatë këtyre 12 muajve ka qenë mjaft e vështirë.
“Enver Hoxha për tre muaj i bëri të gjitha në tërmetin e 79’….Banesa pësoi dëmtime të shumta nga tërmeti dhe grupet e ekspertëve e kanë nxjerrë të pabanueshme, duke e vlerësuar në kategorinë DS4. Kam shkulur të gjithë pemët por askush nuk ka ardhur”, thotë ai për Abc News.
Më kritike shprehet bashkëshortja e Tahirit, Dëshira. Ajo thotë se e ka humbur shpresën pasi edhe ndihmat janë ndarë në mënyrë selektive.
“S’pyet kush për ne jo. Ata janë për ti sharë, ja u kanë dhënë kujt u ka dash qejfi atyre”, shprehet ajo.
Në kushte të varfërisë ekstreme më e moshuara e shtëpisë nuk ka pranuar të dalë nga banesa që rrezikon të shembet. 90 vjeçarja qëndron në banesën e dëmtuar. Për të është më mirë të jetojë këtu se sa në çadër, me familjarët e saj.
“S’kam frikë hiç, se në çadër s’mund të rri, më merret fryma. Le të më zërë shtëpia, s’ka gjë, që këtej s’mund të dalë, skam ku rri”, thotë e moshuara.