AKTUALITET, 26 Prill 2018, 14:49

Fakti / U bojkotua apo jo nga deputetët gjermanë darka e Ramës në Berlin?

Fakti / U bojkotua apo jo nga deputetët gjermanë darka e Ramës

Në Tiranë po zhvillohet një debat i zjarrtë nëse një pjesë e deputetëve të djathtë të Bundestagut e bojkotuan darkën e shtruar nga ambasada shqiptare në Berlin për nder të vizitës së Ramës. Mediat pranë PD-së kanë dhënë versionin e tyre duke gjetur madje edhe shkakun e bojkotit: Restoranti shumë i shtrenjtë që ka rrevoltuar ligjvënësit gjermanë. Ato shtuan madje se Rama ka mbetur në tryezë vetëm me Fugën dhe Taulant Ballën.

Krahu i qeverisë e ka hedhur poshtë këtë lajm duke nënvizuar se ky është një “fake news” i prodhuar nga zyrat e opozitës.

Po si qëndron e vërteta?

Atë ka në dorë ta zbardhë vetëm Edi Rama dhe stafi i tij. Ata kanë botuar gjatë ditës së sotmë një album të plotë fotografish nga takimet me Merkelin, kreun e parlamentit Schäublen, deputetët social demokratë dhe ata konservatorë, madje edhe me armikun e shpallur Günther Krichbaum.

Po në këtë album mungonin vetëm fotot nga darka e shumë diskutuar. Rama dhe stafi i tij mund t’i botojnë edhe këto foto nga darka e famshme për të zbardhur realisht se me kë ka trokitur gotat kryeministri në Berlin.