TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Gazeta gjermane Tagesspiegel ndërkohë raportoi mbi takimet e Ramës me deputetë të parlamentit federal të Gjermanisë dhe opinionet e ndryshme në këtë parlament, ku disa deputetë të Partisë KristianDemokrate të Merkel, mes të cilëve, edhe i shumëpërfoluri Gunther Krichbaum, kanë shprehur kundërshtimin publik të hapjes së bisedimeve me argumentin se Shqipëria nuk është ende gati. Nga ana tjetër, deputetë të forcave të tjera politike në Gjermani mendojnë se hapja e bisedimeve është një mundësi për të detyruar Shqipërinë të përgjigjet hap pas hapi për secilën nga qindra çështjet në të cilat Shqipëria duhet të bëjë përparime për të plotësuar kushtet për anëtarësim.
Ekspertët mendojnë se Bashkimi Europian konsideron si të gabuar vendimin për anëtarësimin e Rumanisë dhe Bullgarisë në vitin 2007, anëtarësim që u bë me parimin se kriteret e të qenit vend anëtar, përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mund të realizohen më lehtë duke qenë anëtar. Në vitin 2014, Komisioni Europian shpalli një pushim disavjeçar në procesin e zgjerimit ndërkohë që gjatë kësaj periudhe u përpoq të mbajë vendet e Ballkanit të angazhuara në reformat drejt integrimit. Por vendet e Ballkanit duket se e konsiderojnë ndryshimin e kërkuar nga Komisioni Europian si një çështje jo shumë të rëndësishme. Nga të 33 kapitujt ku vendet anëtare duhet të bëjnë progres, Shqipëria që nga viti 2015 ka marrë notën “pak progres” në shumicën dërrmuese të rasteve. Kjo është nota më e ulët kaluese në shkallën e vlerësimit të Komisionit Europian dhe kjo notë minimale jepet nga zyrtarë që janë veçanërisht mbështetës për zgjerimin dhe që duket se bëjnë përpjekje të mëdha për të gjetur sado pak progres e për të shmangur komentet negative. Gjithesi, gjatë viteve të fundit, rikthimi i Rusisë në skenën ndërkombëtare dhe përkeqësimi i balancave delikate të pushtetit në shumë vende të Ballkanit, ka shtyrë zyrtarët e Brukselit të mendojnë për zgjerimin jo thjeshtë si çështje kriteresh por edhe si çështje gjeostrategjike, gjë që Rama u përpoq ta theksonte edhe më shumë. Jean-Claude Juncker, President i Komisionit Europian dhe personi i cili në vitin 2014 shpalli rëndësinë dytësore të zgjerimit në axhendën e presidencës së tij dhe ngrirjen e zgjerimit për “pesë vjet”, javën e kaluar theksoi se BE duhet të pranojë vende të reja anëtare nga Ballkani Perëndimor “për të shmangur rrezikun e një lufte të re atje”.Por se sa do të bindë rreziku gjeopolitik për sigurinë e Europës vendet anëtare për përshpejtim të integrimit të Ballkanit pavarësisht ngathtësisë në plotësimin e kushteve nga kandidatët, kjo mbetet për t’u parë pas pak javësh. /BIRN/