TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Fushë-Kruja është një ndër zonat e njohura për nivelin e lartë të ndotjes. Fabrikat e çimentos, kanë shkaktuar një masakër mjedisore, ndërsa ndotja ka detyruar disa familje të lënë banesat.
Në redaksinë tonë mbërritën disa video nga zona e Thumanës në Fushë Krujë, ku ndodhen disa gurore dhe fabrika çimentoje. Mediat kanë denoncuar herë pas here ndotjen mjedisore të kësaj zone, ndotje e cila arrin deri në Tiranë. Madje, ndotja shikohet edhe me sy të lirë nga rruga Fushë Krujë – Thumanë.
Në videot e mëngjesit, oxhaku i fabrikës nxjerr tymë, i cili duket edhe nga një distancë e largët. Tpz.al disponon disa video të xhiruara në mëngjes, ku banorët pretendojnë se firma e çimentos heq filtrate e ajrit dhe lëshon ndotjen në qiell të hapur.
Por, ne nuk e lamë me kaq. Tpz.al u kërkoi banorëve që të xhirojnë edhe në drekë, për të parë nëse oxhakët e fabrikës del apo jo tym. Megjithëse makineritë ishin ndezur dhe fabrika ishte në punë, nga oxhaku nuk del tym. Banorët pretendojnë se firma rivendos filtrate e ajrit, nga “frika” e inspektorëve të mjedisit, të cilët duket se kontrollojnë vetëm gjatë orarit të punës; 08.00-16.00. Por, puna në fabrikë nuk është vetëm 8 orë!
https://youtu.be/sQejm1mJ3AE
Tashmë, u takon inspektorëve të mjedisit të përcaktojnë nëse firma në fjalë i heq apo jo filtrat e pastrimit. Sipas ligjit, ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive e bërë tej kufirit të normave të lejuara përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim deri në dhjetë vjet.
Kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi, sapo mori drejtimin e këtij institucioni pati premtuar se, ndërtimi i një landfilli do të ishte primar dhe që do të kishte një bashkëpunim me fabrikat e çimentos për rehabilitimin e zonave të dëmtuara si dhe për mbylljen e furrave të gëlqeres në Krastë të Krujës.
Ndërkohë, sot, puna e kësaj bashkie ka mbetur vetëm në fazën e konsultimeve, si shumë punë të tjera të lëna përgjysëm./TPZ.AL/