BOTA, 19 September 2026, 22:53

Terror në ajër/ Powerbank-u merr flakë gjatë fluturimit, avioni kthehet urgjentisht në Amsterdam

Një incident me një powerbank gjatë një fluturimi të KLM nga Amsterdami drejt Curaçaos detyroi ekuipazhin të ndërhynte për shuarjen e zjarrit në kabinë dhe pilotët të kthenin avionin në aeroportin Schiphol.

Ngjarja ndodhi disa orë pas nisjes së avionit Boeing 777 nga Amsterdami. Powerbank-u ishte duke u karikuar kur u përfshi nga flakët në pjesën e Business Class.

Sipas raportimeve, pajisja i përkiste ish-drejtorit ekzekutiv të KLM, Camiel Eurlings. 53-vjeçari kishte rënë në gjumë në momentin kur ndodhi incidenti.

Dëshmitarët thanë se fillimisht u dëgjua një shpërthim dhe më pas u shfaqën flakë pranë sediljes. Ekuipazhi ndërhyri menjëherë dhe arriti ta shuante zjarrin.

Në momentin e incidentit, avioni ndodhej mbi Oqeanin Atlantik. Për shkak të situatës, kapiteni vendosi të ndërpresë fluturimin dhe të kthehej në Schiphol, ku avioni u ul në mënyrë të sigurt.

Në bordin e avionit ndodheshin 322 pasagjerë. Pas kthimit në Amsterdam, pasagjerëve iu sigurua akomodim në hotel, ndërsa udhëtimi drejt Curaçaos vijoi të nesërmen me një avion tjetër.

Fotot e publikuara pas incidentit treguan dëme në pjesën pranë sediljes ku kishte ndodhur zjarri, përfshirë dëmtime në dritare dhe në mbulesën e saj.

KLM ka nisur një hetim për të përcaktuar rrethanat e incidentit. Kompania ka rregulla të posaçme për powerbank-ët, të cilët duhet të transportohen në bagazhin e dorës dhe të jenë të aksesueshëm gjatë fluturimit. Përdorimi dhe karikimi i tyre gjatë fluturimit nuk lejohet.

Incidentet me bateritë litium-jon në avionë janë kthyer në një shqetësim për kompanitë ajrore, pasi mbinxehja ose dëmtimi i tyre mund të shkaktojë zjarr dhe tym në kabinë.