SPORT, 4 Korrik 2021, 14:40

EURO 2020/ E bardha fatsjellëse e çerekfinaleve…

EURO 2020/ E bardha fatsjellëse e çerekfinaleve…

Spanja, Italia, Danimarka dhe Anglia janë katër skuadrat që siguruan kalimin në gjysmëfinale, teksa e përbashkëta e këtyre ekipeve është se në sfidat përkatëse çerekfinale mbajtën të veshur fanellën e bardhë.

Spanjollët kanë si fanellë të parë të kuqen, por në çerekfinale luajtën me fanellën e bardhë, pasi Zvicra cilësohej si skuadër pritëse e për rrjedhojë kishte të drejtë të luajë me fanellën e saj të parë, që gjithashtu është e kuqe.

Spanja në ndeshjen ndaj Zvicrës

E njëjta situatë edhe me Italinë në mbrëmje, që u detyrua të braktisë blunë e saj karakteristike, për të veshur fanellën e bardhë përballë Belgjikës, që si skuadër pritëse luajti me të kuqen e përhershme.

Italia ndaj Belgjikës

Edhe Danimarka u detyrua të heqë dorë nga bluza e saj e parë, pasi kishte të njëjtën ngjyrë me Republikën Çeke dhe kjo e fundit pati të drejtën të luajë me fanellat e kuqe, ndërsa Anglia veshi fanellën e parë, pasi nuk kishte përplasje me të verdhën e Ukrainës.

E bardha rezultoi fatsjellëse, pasi të katër skuadrat që luajtën me atë ngjyrë fanelle, ia dolën të kalojnë në gjysmëfinale, aty ku Italia do të përballet me Spanjën dhe Anglia do të provojë të eliminojë edhe Danimarkën.

Kane duke festuar golin ndaj Ukrainës

Në fakt në gjysmëfinalen e parë të martën e 6 korrikut, Italia cilësohet skuadra pritëse në “Wembley” dhe do të rikthehet te fanella e saj e parë, bluja, ndërsa Spanja do të mund të zgjedhë mes të kuqes tradicionale, apo të bardhës fatsjellëse.

Pritëse cilësohet edhe Anglia ndaj Danimarkës, ndaj Kane me shokë do të vijojnë të luajnë me fanellën e parë, atë të bardhën, ndërsa Danimarka do të rikthehet te e kuqja, ngjyrë me të cilën luajti dy ndeshjet e para në grup, të cilat i humbi që të dyja.

E bardha rezultoi fatsjellëse në fazën çerekfinale të Europianit dhe supersticiozët në Itali e Danimarkë kanë arsye për t’u ndjerë të shqetësuar para sfidave gjysmëfinale.