AKTUALITET, 25 Tetor 2019, 11:02

EMRI/ Vrau 15-vjeçarin në Lezhë, nëntë vite në arrati, arrestohet në Francë ish-polici


Është arrestuar në Francë ish-polici Skënder Sefereaj, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e 15-vjeçarit Armando Skandaj në vitin 2010.

Vrasja e të riut ndodhi gjatë një aksioni policor, ndërsa Seferaj u dënua me pesë vite burg nën akuzën e vrasjes nga pakujdesia.

Si ka ndodhur ngjarja:

Ardit Skandaj, vëllai i Armandos, kishte vjedhur me armë tre shtetas malazezë në kryqëzimin e Kallmetit.

Vjedhja, sipas Prokurorisë së Lezhës, kishte ndodhur më 15 korrik, ndërsa me 17 korrik, policia u vu në ndjekje të makinës së Skandajt dhe në Urën e Cenit i ka bllokuar rrugën me mjete, një motor dhe një makinë policie.

Skandaj ka çarë rrethimin, ndërsa policia u detyrua të qëllonte me armë mbi makinën.

Prokuroria thotë se u gjuajtën gomat e mjetit, por plumbat kanë devijuar duke kapur pjesën e pasme të makinës, ku ndodhej ulur 15-vjeçari.