TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një aksident tragjik në Itali i ka marrë jetën 20-vjeçarit Thomas Qirjaj, me origjinë shqiptare, në orët e para të së premtes, më 30 tetor, në autostradën A1, pranë zonës së Melegnano-s, në drejtim të San Giuliano Milanese.
Sipas mediave italiane, i riu po udhëtonte së bashku me katër miq me një automjet tip Volvo, me targa zvicerane. Pasi kaluan barrierën e autostradës, drejtuesi humbi kontrollin e makinës, e cila u përplas me ndarësen që ndan korsitë e lëvizjes.
Pas përplasjes, Thomas doli nga automjeti për të vendosur trekëndëshin e emergjencës dhe për të paralajmëruar drejtuesit e tjerë të mjeteve për rrezikun në rrugë.
Por, në ato momente, 20-vjeçari u godit nga një automjet tip SUV, që drejtohej nga një 25-vjeçar nga Modena. Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, drejtuesi i fuoristradës nuk arriti ta dallonte të riun në rrugë deri në momentin e fundit.
Përplasja rezultoi fatale. Thomas u transportua me urgjencë në spitalin Predabissi, në Vizzolo, por ndërroi jetë për shkak të plagëve të marra, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar. Katër miqtë që udhëtonin me të nuk pësuan dëmtime të rënda.
Kush ishte Thomas Qirjaj?
Thomas kishte lindur në Piacenza dhe jetonte së bashku me prindërit në Caorso, në provincën e Piacenzës. Ai vinte nga një familje me origjinë shqiptare dhe ishte fëmijë i vetëm. Në muajin dhjetor do të mbushte 21 vjeç.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka shkaktuar trishtim në komunitetin ku jetonte. Kryetarja e Bashkisë së Caorso-s, Roberta Battaglia, shprehu ngushëllimet për familjen, duke e kujtuar Thomasin si një të ri që e kishte parë të rritej dhe që ishte integruar mirë në komunitet.
I riu ishte gjithashtu i angazhuar në futbollin amator. Klubi ku kishte luajtur vendosi të anulojë ndeshjen e planifikuar, në shenjë zie për humbjen e tij.
Ndërkohë, Policia Rrugore italiane dhe Prokuroria e Lodit kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit.
Autoritetet po shqyrtojnë shkaqet që çuan në përplasjen fillestare të automjetit Volvo me ndarësen e autostradës, si dhe rrethanat në të cilat SUV-i goditi 20-vjeçarin.
Sipas mediave italiane, drejtuesit të fuoristradës do t'i nënshtrohet edhe analizave toksikologjike, në kuadër të procedurave hetimore.