AKTUALITET, 31 October 2026, 19:02

Sulmoi me thikë dy policë gjatë ndërhyrjes, arrestohet 47-vjeçari gjerman në Shkodër! Dyshohet se hodhi benzinë mbi një automjet

Sulmoi me thikë dy policë gjatë ndërhyrjes, arrestohet

Një 47-vjeçar me shtetësi gjermane është shoqëruar në polici në Malësinë e Madhe, pasi dyshohet se ka sulmuar me thikë dy efektivë të Policisë së Shtetit gjatë ndërhyrjes së tyre.

Ngjarja është raportuar rreth orës 17:30, në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, nga një 27-vjeçar me inicialet A. Q.

Ky i fundit ka njoftuar policinë se, gjatë udhëtimit me automjetin e tij nga Hani i Hotit në drejtim të Shkodrës, drejtuesi i një automjeti tjetër dyshohet se i kishte hedhur benzinë mbi makinën e tij, në afërsi të një pike karburanti pranë pikës së kalimit kufitar.

Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë bërë të mundur ndalimin e automjetit të dyshuar në fshatin Pjetroshan.

Sipas njoftimit zyrtar, drejtuesi i automjetit, shtetasi gjerman J. K., 47 vjeç, ka refuzuar të identifikohet. Gjatë ndërhyrjes së efektivëve për neutralizimin e tij, ai dyshohet se ka goditur me thikë dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme, inspektorët S. B. dhe I. S.

Dy efektivët e plagosur janë transportuar në spital, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Ndërkohë, policia ka bërë të mundur neutralizimin dhe shoqërimin e 47-vjeçarit në ambientet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.