TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al paralajmëroi ditën e sotme, shkarkimin e drejtorit të Policisë së Shkodrës, Vehbi Bushati. Ministri Sandër LLeshaj ka lajmëruar pak minuta më parë, nga qyteti i Shkodrës, largimin e drejtorit të policisë nga detyra.
Shkak për këtë vendim të Ministrit Lleshaj, është situata e kriminalitetit në këtë qytet dhe numri shumë i lartë i vrasjeve dhe ekzekutimeve. Bushati u emërua në krye të policisë së Shkodrës në shkurt 2018, kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Fatmir Xhafaj.
Vehbi Bushati do të zëvendësohet nga Niko Brahimaj, i cili ka drejtuar Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, gjatë kohës kur në krye të Ministrisë së Brendshme ishte Saimir Tahiri.
Ministri Lleshaj deklaroi nga Shkodra, se Brahimaj do të zëvendësojë Bushatin, për t'i dhënë impulse të reja policisë në Shkodër.
"Për t’i dhënë një impuls te ri kemi vënë ne policinë e Shkodrës Niko Brahimaj ne vend te Vehbi Bushatit. Erdha ne Shkodër për ketë arsye por edhe për ngjarjen e rende te ndodhur. Është vrasje për larje hesapesh ne Shkodër. Forcat e policisë po bëjnë maksimumin për ta zbardhur ngjarjen", deklaroi ministri.
Ditën e sotme, Shkodra u trondit nga vrasja e dy vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali. Ata u ekzekutuan në një atentat para shtëpisë së tyre.
Shkodra është kthyer në "kryeqytetin e krimit". Nga qershori i vitit 2018 deri më sot, ky qytet numëron 12 të vrarë në atentate.
Ndërkohë muaji mars, ka shënuar shtatë vrasje në vend, katër prej të cilave janë kryer brenda një jave dhe ku spikat ekzekutimi mafioz i avokatit Ravik Gurra në Elbasan.
/TPZ.al/
Ngjarjet kriminale në Shkodër që prej Qershorit 2018.
Në 18 qershor u vra biznesmeni Mehdi Kavaja
Në 15 korrik u vranë ish-polici Boran Bërcana dhe bashkëjetuesja e tij Silvi Ndoci
Në 10 gusht u vra Fatbardh Lici, kunati i biznesmenit Lulzim Kulla
Në 23 gusht u zhduk Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, dajë dhe nip
Në 27 gusht u vra Prendush Fusha
Në 1 shtator u vra biznesmeni Arjan Ferracaku
Në 14 nëntor u vra Fatos Ferracaku, tregtar peshku kushëriri i Arjanit
Në 20 mars 2019, ekzekutohet biznesmeni Ferdinand Polia
30 mars 2019, vritet Astrit Bilali dhe Brahim Bilali
VIDEO: Katër vrasje brenda një jave.