SPORT, 12 Shtator 2021, 16:00

Egnatia pa përvojë, Kukësi e mposht në debutim

Egnatia pa përvojë, Kukësi e mposht në debutim

Egnatia e përuron me humbje stadiumin e ri të qytetit të Rrogozhinës. Në premierën e kampionatit, skuadra e drejtuar nga Gugash Magani, u dorëzua 0-2 ndaj Kukësit, duke mos përmbushur pritshmëritë e tifozëve vendës, të cilët kanë pritur plot 16 vite për ta parë sërish në elitë.

Pas një nisjeje të qetë të lojës ekuilibrat në rezultat u prishën në minutën e 22-të, kur Daci i verilindorëve shfrytëzoi një pasiguri të mbrojtjes dhe portierit duke dërguar topin në rrjetë.

Të njëjtit futbollist iu dha mundësia për të shënuar golin e dytë në minutën e 37-të, por shumë pranë portës goditi mbi tra.

Përvoja e Kukësi u reflektua me realizimin e golit të dytë nga Peposhi pak para përfundimit të pjesës së parë, me një aksion model me pasime të shumta dhe të sakta.

Gjatë pjesës së dytë, skuadra e drejtuar nga Londo e administroi me zgjuarsi lojën, për ta nisur kampionati me një trepikësh shumë të rëndësishëm të fituar në transfertë përballë një ekipi ndoshta pa përvojën e duhur, por me shumë investime në organike dhe infrastrukturë.