AKTUALITET, 18 Janar 2019, 09:13

“Edi Rama e mprehu shpatën”, studentët rikthejnë këngën e Hoxhës

“Edi Rama e mprehu shpatën”, studentët rikthejnë

Një pjesë e studentëve të Elbasanit vazhdojnë protestën dhe ngujimin e tyre. Ndërkohë në orët e vona të së enjtes studentët protestues shpërndanë një video me këngën e diktatorit Enver Hoxha por duke ia kënduar kryeministrit Edi Rama mbështetur në zhvillimet e fundit dhe protestat e tyre.

Edi Rama e mprehu shpatën

dhe njëherë o për situatën

Kjo është shpata që pret koka

Edhe pse se mbështet bota

Edi Rama t’u shkurtoftë jeta

s’ndal ngujimi e as protesta

Këto protesta ti s’i prite

s’i kish parë vendi gjithë këto vite…

Në universitetin e Elbasanit mësimi gjatë së enjtes pas më se një muaji dukej se po zhvillohej deri-diku normalisht edhe pse herë pas herë ka pasur thirrje sporadike për protesta nga një grup i vogël prej 15-20 studentësh. Ndërkohë që pjesa dërrmuese rezulton se i është rikthyer auditoreve për të ndjekur leksionet dhe seminaret.

Gazetari Fatmir Popja raportoi për “BalkanWeb” se nuk kanë mbetur më shumë se 15 veta studentët që protestojnë. Ata herë qëndrojnë brenda ambienteve të universitetit dhe herë jashtë. Edhe pse fillimisht u bë thirrje për ngujim, as kjo nuk ndodhi. Rreth 10 mijë student të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” janë rikthyer në auditore, madje për të zëvendësuar edhe orët e prapambetura.