AKTUALITET, 8 Tetor 2019, 11:48

E vranë dhe e hodhën në kanal/ Zbardhet ekspertiza për Eri Zefin: U ekzekutua me gjashtë plumba, katër në kokë

E vranë dhe e hodhën në kanal/ Zbardhet ekspertiza për Eri


Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e Eri Zefi, 34-vjeç, gjashtë ditë më parë në fshatin Zallë Xhuxhë në Fan të Mirditës. Report Tv ka siguruar ekspertizën mjeko-ligjore, ku thuhet se i riu u ekzekutua me gjashtë plumba, katër prej të cilëve e kanë kapur në kokë ndërsa dy të tjerët në gjoks.

Ndër të tjera në trupin e viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune dhe vrasja rezulton të ketë ndodhur gjatë natës pikërisht në vendin ku është gjetur trupi i viktimës. Gjë kjo që konfirmon se autorët ose autori e ka marrë viktimën deri në pikën ku u gjet i vrarë dhe më pas ka kryer ekzekutimin duke dashur të humbësin edhe gjurmët për shkak të terrenit të thyer dhe jo të populluar.

Viktima u gjet i vrarë rreth orës 16:00 të së mërkurës në një zonë të pyllëzuar 50 metra larg rrugës së Kombit. Ka qenë një banor i zonës i cili ka pikasur trupin e viktimës në një kanal dhe menjëherë ka njoftuar policinë në lidhje me ngjarjen.

Në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur gëzhoja plumbash çka ka vështirësuar punën e hetuesve.

Eri Zefi është vëllai i Ndue Zefit, ky i fundit në shkurt të këtij viti ka vrarë fqinjin e tij 45-vjeçarin Martin Ndreca, pas një sherri banal.

Kjo ngjarje ka ngritur dyshimet se vrasja e Eri Zefit ditën e sotme mund të jetë kryer për shkaqe hakmarrje nga të afërm të viktimës që vëllai i tij la më 24 shkurt të këtij viti.

/Shqiptarja.com