AKTUALITET, 22 October 2026, 11:30

E pazakontë/ Avokatët në bojkot, GJKKO vendos që gjyqi i Metës e Kryemadhit të vijojë pa mbrojtës. Ish presidenti: Mbrohem vetë

E pazakontë/ Avokatët në bojkot, GJKKO vendos që gjyqi i

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur që procesi gjyqësor ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit të vijojë nga data 29 tetor edhe pa praninë e avokatëve, nëse këta të fundit do të vazhdojnë bojkotin për shkak të rregullores së re të gjykatës.

Vendimi vjen në kushtet e bojkotit të avokatëve, i cili rrezikon të ndikojë në zhvillimin normal të seancave gjyqësore.

Nëse mbrojtësit do të vijojnë të mos paraqiten në gjykatë, procesi gjyqësor pritet të zhvillohet sipas vendimit të marrë nga trupa gjykuese.

Vendimi erdhi pasi, përveç avokatëve të zgjedhur nga të pandehurit, të cilët nuk marrin pjesë për shkak të bojkotit, edhe dy avokatet e ndihmës juridike falas refuzuan thirrjen e gjykatës. Njëra prej tyre argumentoi se nuk merrte pjesë për shkak të bojkotit, ndërsa tjetra parashtroi pretendimin se nuk bëhej fjalë për një rast kur mund të ofrohej ndihma juridike falas.

Gjykata i vlerësoi të pabazuara kërkesat e të katër avokatëve për të mos përfaqësuar Metën dhe Kryemadhin. Për dy avokatët e zgjedhur nga të pandehurit vendosi gjobë prej 20 mijë lekësh, ndërsa për dy avokatet e ndihmës juridike falas, gjobë prej 5 mijë lekësh.

Mbetet për t’u parë nëse avokatët do të ndërpresin bojkotin përpara datës 29 tetor apo nëse gjykimi do të vijojë në kushtet e përcaktuara nga gjykata.

Seanca e radhës u caktua për më 29 tetor, në orën 11:00. Ndërkohë, ndaj Metës u pezulluan afatet e paraburgimit.

Gjatë seancës nuk u paraqitën as prokurorët e çështjes, ndërsa SPAK-u u përfaqësua nga prokurori Vladimir Mara.

Vetë Meta, në një deklaratë të shkurtër, tha se ishte i gatshëm të mbrohej edhe vetë dhe se kjo situatë ishte një lojë për zvarritjen e procesit.

Ai tha se kishte takuar në ambientet e gjykatës edhe kryetarin e Dhomës së Avokatisë, të cilit i kishte kërkuar një zgjidhje. Sipas Metës, kryetari i kishte thënë se atë ditë kishte një takim për të diskutuar situatën në KLGJ.

Po ashtu, Meta pretendoi se prokuroria mungonte qëllimisht dhe se ishte dërguar një prokuror tjetër për të pezulluar afatet e paraburgimit.