AKTUALITET, 22 October 2026, 11:36

Budva/ Merz: Vetëm nëse punoni së bashku do të hyni në BE! Mesazh për protestat në rajon: Dhuna nuk duhet të jetë kurrë opsion nga asnjëra palë

Budva/ Merz: Vetëm nëse punoni së bashku do të hyni në

Kancelari gjerman Friedrich Merz, nga Budva, u bëri thirrje gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor të bashkëpunojnë dhe të vijojnë reformat për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ai u ndal edhe te protestat në rajon, duke theksuar se dhuna nuk duhet të jetë kurrë një opsion, nga asnjëra palë.

Deklarata e plotë e kancelarit gjerman Friedrich Merz në Budva:

“Ndryshimi duhet të vijë nga brenda vendeve tuaja dhe kjo është një prej ideve themeluese të Procesit të Berlinit që nga krijimi i tij: të sjellë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në një tryezë, për të arritur reformat dhe përparimin nga brenda, si dhe për të nxitur bashkëpunimin dhe pajtimin rajonal.

Në fund të fundit, ju do të keni sukses në rrugën drejt Bashkimit Europian vetëm nëse punoni së bashku.

Gjatë 12 viteve të fundit kemi bërë përparim në fusha si lëvizja e lirë, agjenda e gjelbër, turizmi, investimet, shërbimet e të tjera. Kjo mund të duket teknike, por nuk është, sepse përcakton nëse një dentist i ri nga Shkupi mund të punojë në Tiranë apo nëse një kompani në Novi Sad mund të hapë një degë të saj në Sarajevë.

Një treg me 8 milionë banorë është sigurisht shumë më interesant për investitorët sesa gjashtë tregje të ndara.

Tani jemi në rrugë të mbarë edhe me procesin e integrimit dhe po kujdesemi që ai të jetë sa më i shpejtë të jetë e mundur. Por, sigurisht, ky proces bazohet në meritë. Ne kemi vullnetin, por reformat duhet të vijnë sërish nga ju.

Ne kemi parë gjithashtu protestat në rajon, por edhe në vendet tona. Këto protesta na japin një mesazh të qartë: Duhet të vazhdojmë me procesin e zgjerimit dhe duhet të sigurohemi që qytetarët tanë të përfitojnë prej tij.

Më lejoni të jem i qartë në lidhje me protestat: Dhuna nuk duhet të jetë kurrë një opsion nga asnjëra palë.”