AKTUALITET, 23 Shkurt 2018, 09:16

E kthyen në port dhe gjeti vdekjen, pse s’donte policia që 23 vjeçarja shqiptare të hynte në Itali

E kthyen në port dhe gjeti vdekjen, pse s’donte policia që 23

Të tjera detaje janë zbuluar për 23 vjeçaren e cila humbi jetën në aksidentin e të mërkurës mbrëma në autostradën Tiranë-Durrës.

“Panorama” mëson se Elena Avdillari ka hyrë rreth orës 21 të mërkurën dhe ka bërë check-in në Portin e Durrësit. Pas check-init, Avdillari është kthyer nga policia kufitare pasi kishte shumë hyrje-dalje nga Shqipëria drejt Italisë. Vetëm, për vitin 2017 mësohet se 23 vjeçarja ka bërë 14 hyrje në këtë port.

Po ashtu mësohet se policia italiane kishte informacione se Elena Avdillari punonte në punë të paligjshme në shtetin fqinj dhe për këtë autoritetet italiane i kishin kërkuar autoriteteve shqiptare për mos lejimin e saj drejt Italisë.

E reja nisej drejt Italisë me traget nga Durrësi dhe kthehej me avion nga Rinasi.

Edhe më herët në një prononcim për mediat nëna e Elenës, Rozafa Glloga ka thënë se vajza e saj ka qenë disa herë në Itali, pasi atje punonte.

Nëna ka deklaruar se ajo me lekët që merrte në Itali mbante familjen dhe kjo ishte hera e katër që po ikte.

“Vajza ime shkonte here pas here në Itali pasi shkonte punonte me shoqet. Kjo ishte hera e 4 që po shkonte. Kishte me vete 600 euro dhe garancinë. Nuk e di ça problemi pati që nuk u nis në Itali. Lajmin e vdekjes e kanë mësuar shoqet e saj që jetojnë në Itali pasi e panë në televizor. Në mengjes na njoftuan ne. Vajza ishte e martuar por jetonte tek ne dhe na ndihmonte financiarisht pasi jemi të varfër. Unë punoj në fshesë turni i 3 çdo natë”, tregoi mes dhimbjes nëna e viktimës.