AKTUALITET, 29 Prill 2020, 15:49

E bujshme/ Çertifikohet në BE testi që tregon nëse keni imunitet ndaj Covid-19, me saktësi 99%

E bujshme/ Çertifikohet në BE testi që tregon nëse keni

Një test i ri serologjik, që tregon nëse e keni kaluar koronavirsurin dhe keni anti-trupa ndaj tij, me një siguri prej 99%,  është çertifikuar për përdorim në Bashkimin Europian.

Testi i krijuar nga kompania Abbot, është çertifikuar me markën CE, që tregon se përputhet me standartet e sigurisë së BE-së dhe tashmë mund të përdoret për të treguar nëse një person ka të zhvilluar imunitet ndaj Covid-19.

Testi identifikon proteinën IgG, të cilën trupi e prodhon kur është infektuar nga koronavirusi dhe kjo mund të mbetet në trupin e njeriut, për muaj të tërë, ndoshta edhe vite.

Sipas kërkimeve të fundit, jo të gjithë personat e infektuar me koronavirus, zhvillojnë anti-trupa.

Mendohet se ky do të jetë një test mjaft i rëndësishëm, në mënyrë që njerëzit të kuptojnë nëse kanë anti-trupa ndaj virusit, çka sugjeron një farë mbrojtje prej tij dhe mund t'i rikthehen jetës normale. Kjo do të sillte rikthim gradual në normalitet të njerëzve dhe një frymëmarrje për ekonominë.

Mike Clayton, drejtori i kompanisë Abbot për Eruopën Veriore, tha se kompania "është fokusuar të sjellë teste Covid-19 në treg, sa më shpejt të jetë e mundur, për të adresuar këtë pandemi. Ne jemi krenar, që mund të sjellim testin tonë të anti-trupave menjëherë, sepse kjo do të na ndihmojë të kuptojmë kush e ka patur virusin, duke sjellë më tepër besim, për t'ju rikthyer jetës normale. Ne po bashkëpunojmë me NHS [shërbimi shëndetësor në Angli], me organizma të shëndetit publik dhe me laboratorë privatë, në Mbretërinë e Bashkuar, që ky test të përdoret atje".

Nuk dihet ende nëse qeveria shqiptare, do të jetë e interesuar të blejë këtë test serologjik, tashmë të çertifikuar nga Bashkimi Europian, çka mund të ndryshojë tërësisht strategjinë e luftës ndaj Covid-19 dhe të sjellë rikthimin gradual të normalitetit në vend.

/TPZ.al/