TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
I qetë dhe pa asnjë shenjë pendese në fytyrë ka hyrë dje në sallën e gjyqit Çlirim Shaholli, i cili mbrëmjen e së premtes që shkoi vrau në mënyrë makabre gruan e tij, nënë e 6 fëmijëve. I braktisur nga të afërmit, 42-vjeçari ka deklaruar para trupit gjykues se ka debatuar ashpër me gruan për motive xhelozie dhe më pas janë përleshur në banesë.
“Po, unë e vrava gruan. E shtyva dhe ia përplasa disa herë kokën në dysheme”, është shprehur autori i krimit në familje, që tronditi banorët e qytetit të Durrësit dhe jo vetëm. I ftohtë në rrëfimin e tij, Çlirim Shaholli nuk u ka kërkuar ndjesë as fëmijëve të tij për krimin e kryer. Ndërkohë, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Eda Kaja ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj 42-vjeçarit për veprën penale: “Vrasje me dashje në rrethana cilësuese për arsye familjare”. Shaholli rrezikon dënimin nga 20 vite burg deri në burgim të përjetshëm.
GJYQI
Rreth orës 15:00 të ditës së djeshme, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Durrësit u zhvillua seanca gjyqësore për vendosjen e masës së sigurisë ndaj Çlirim Shahollit. Në seancën e cila u zhvillua me dyer të mbyllura dhe që zgjati vetëm 10 minuta nuk ishte i pranishëm asnjë familjar i 42-vjeçarit, i cili goditi për vdekje gruan e tij, Ardiana Shaholli. Ndërsa, i pandehuri u përfaqësua nga një avokat i caktuar kryesisht nga gjykata. Mësohet se prokurorja e çështjes, Rabjana Halili ka kërkuar lënien në qeli të autorit. Kërkesa e saj është pranuar nga togat e zeza të qytetit bregdetar, të cilët e kanë konsideruar të ligjshëm arrestimin e Shahollit. Ndërkaq, autori i krimit ka pranuar vrasjen, ndërsa ka treguar me detaje se si nisi sherri me viktimën dhe fundin e saj tragjik.
RRËFIMI I VRASËSIT NË GJYKATË
“Kemi ardhur nga Maliqi i Korçës dhe prej vitesh banojmë në lagjen nr.15 të qytetit të Durrësit. Mbrëmjen e së premtes, kur ndodhi ngjarja, unë dhe gruaja ime, Ardiana debatuam shumë me njëri-tjetrin. Sherri nisi se unë jam xheloz dhe dyshoja se ajo më tradhtonte me pronarin e firmës ku punonte. I thashë gruas pse shkon në punë, apo ke zënë dashnor pronarin. Mos shko më, pasi nuk pse shkon në punë. Ndërsa, ajo më tha: “Ngrihu dhe puno ti dhe ruaj kalamajtë e mos rri kot në shtëpi. Si mund të më thuash se paskam zënë dashnor në punë. Aty punojnë dhe 20 vajza të reja dhe kush mund të më hedhë sytë mua”. Pas kësaj, ne u përleshëm. Unë shtyva dhe ia përplasa kokën disa herë në dysheme.
VENDIMI
Pas dëshmisë së dhënë nga i pandehuri Çlirim Shaholli, trupi gjykues ka vendosur lënien e tij në qeli. Mësohet se avokati mbrojtës i caktuar kryesisht nga gjykata nuk ka kërkuar masë lehtësuese për klientin e tij. Ai është shprehur në sallën e gjyqit: “Çmoj që gjykata të japë vendimin për klientin tim”.