BOTA, 25 July 2026, 11:40

Dyshohet për spiunazh në NATO, arrestohet praktikantja në selinë strategjike të Aleancës në Belgjikë

Policia belge ka arrestuar të premten një praktikante në selinë strategjike të NATO-s për Operacionet e Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE), nën dyshimin se “spiunonte në emër të një vendi të tretë dhe se ishte anëtare e një organizate kriminale”.

Lajmi është bërë i ditur nga Zyra e Prokurorit Federal Belg, e cila përmes një deklarate të publikuar të shtunën njoftoi se hetimet ndaj saj janë në vijim.

Praktikantja, një shtetase kanadeze me origjinë kineze, kishte “rënë në vëmendjen” e shërbimeve të sigurisë së SHAPE, komandës strategjike të NATO-s për operacionet, e vendosur në Mons të Belgjikës.

Sipas autoriteteve belge, kontrolle janë kryer në banesën dhe zyrën e saj të enjten.

Prokurorët belgë nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi natyrën e dyshimeve ndaj gruas, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat dhe rolin e saj të mundshëm në aktivitetet e dyshuara.