BOTA, 22 July 2026, 22:29

Dy tramvaje dalin nga shinat dhe përplasen në urën ikonike të Roterdamit, 15 të plagosur      

Dy tramvaje dalin nga shinat dhe përplasen në urën ikonike

Të paktën 15 persona mbetën të plagosur pasi dy tramvaje u përplasën dhe dolën nga shinat paraditen e së mërkurës në Roterdam të Holandës.

Sipas autoriteteve lokale, aksidenti ndodhi rreth orës 11:10 në Urën Erasmus, e cila u mbyll për trafikun pas ngjarjes.

Në vendngjarje mbërritën zjarrfikës, policia, ekipet mjekësore dhe një ambulancë ajrore. Shtatë persona u transportuan në spital për trajtim, ndërsa njëri prej tyre është plagosur rëndë. Të lënduarit e tjerë morën ndihmën mjekësore në vend.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

Pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë momentin e përplasjes, ku njëri prej tramvajeve godet një tjetër që ndodhej i palëvizshëm në shina.

Edhe kompania e transportit RET reagoi pas ngjarjes, duke u shprehur se është “thellësisht e tronditur” nga aksidenti.

“Mendimet tona janë me viktimat dhe pasagjerët që ishin në bord. E gjithë vëmendja jonë është përqendruar te viktimat, stafi i përfshirë dhe pasagjerët”, thuhet në deklaratën e kompanisë, e cila shton se do të bëjë gjithçka për të përcaktuar se si ndodhi aksidenti.