AKTUALITET, 8 Shkurt 2018, 22:27

Duka: Zgjedhjet? Fino ishte avantazhi im në fitore!

Armand Duka, presidenti i saporizgjedhur i FSHF-së, në mandatin e tij të pestë, ishte sonte i ftuar në emisionin e gazetarit Sokol Balla, në Vizion Plus, “Real Story”, teksa për 40 minuta ka rrëfyer gjithçka në lidhje me fitoren në Asamble, rivalin Fino, politizimin e zgjedhjeve, kandidatët, problematikat e futbollit shqiptar, zgjidhja e tyre, Ligën por edhe kombëtaren dhe ambiciet…

Mesazhi për rivalin tuaj që humbi, pra zoti Fino?

Besoj se dhe Bashkimi ka fituar diçka nga kjo garë, ka mësuar më shumë nga bota sportive, për hallet e futbollit, që mund ta ndihmojnë nga karrigia që të ngrihet.

Fino do ta çojë në gjykatë, këtu dhe Zvicër, CAS… Si përgjigjeni?

Do të preferoja që Bashkim Fino të mos sillte sëmundjet e politikës në futboll por të merrte të mirat e futbollit ti çonte atje. Solli gjyqet, gjykatat por duhet të pranonte rezultatin. Në sallë e bëri, përpara medieve ndryshoi mendje.

Pse kishte masa sigurie në Durrës? Të tepruara…

Prag Asambleja nuk ishte e qetë, e natyrshme, sportive. Klimë e acaruar dhe shumë faktorë që mund të ndikonin në garë. Detyroi të gjithë institucionet të ishin të kujdesshme. Duke nisur nga FSHF dhe institucionet ndërkombëtare, si zëvendës presidenti i UEFA-s, që kërkoi siguri për delegatët dhe të ftuarit. Kjo siguri u ofrua nga forcat e policisë.

Elementë kriminalë…

Ka pasur të fortë të përfshirë në këtë garë, që tentuan të ushtronin influencën e tyre për të kushtëzuar garën, por kjo bëri që qeveria të merrte masa të rëndësishme sigurie. U zhvillua normalisht Asambleja dhe jam i gëzuar.

A pati ndërhyrje nga qeveria në këtë garë, ku merrte pjesë një deputet i mazhorancës?

Gara përfundoi, rezultati doli, zgjedhjet mbaruan. Më pëlqen të flas se çfarë duhet të bëjmë për futbollin dhe jo të kthehemi mbas. Që ka pasur ndërhyrje apo angazhim nga aparati shtetëror, kjo është e vërtetë.