AKTUALITET, 8 Qershor 2019, 15:50

Drejtori i SHÇBA e pranon: Ka policë të përfshirë në kultivimin e kanabisit, ne jemi gati që…

Drejtori i SHÇBA e pranon: Ka policë të përfshirë

Drejtori i SHÇBA Tiranë, Adriatik Ago, deklaroi dje se ka punonjës të përfshirë në kultivimin e kanabisit.

Deklarata u be gjatë konferencës së përbashkët të Prokurorisë së Tiranës, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, si dhe Drejtorisë së Doganave, në kuadër të një hetimi disamujor, qe vuri në pranga 4 punonjës Policiei të implikuar në kontrabandën e makinave.

Adriatik Ago teksa foli për goditjen e rastit në fjalë dhe arrestimin e 4 punonjësve të Policisë si të implikuar në kontrabandën e disa makinave, u ndal edhe në hetime të tjera që janë duke kryer.

Ago deklaroi dje se punonjës të Policisë së Shtetit janë përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike dhe më tej ai shtoi se kanë nisur hetimet për disa nga rastet e konstatuara në disa zona të vendit.

“Ministria e Brendshme, përpara një muaji, bëri një vlerësim të situatës së kultivimit të kanabisit në shkallë vendi dhe po e trajton me seriozitet këtë fenomen. Në planin e marrjes së masave për parandalimin e marijuanës është përfshirë edhe SHÇBA. Ministria e Brendshme ka planin e saj të masave, gjithashtu, Policia e Shtetit dhe ajo lokale ka të sajin. Janë duke u kryer kontrolle ajrore sipas grafikës dhe rezultatet u jepen strukturave të posaçme për nisjen e verifikimeve. Ku është roli i SHÇBA-së në këtë drejtim? Ne, pa dyshim, jemi të përfshirë në problemet e njohjes së çështjes, marrjen e informacionit, vlerësimit të tyre dhe pse jo të çeljeve të hetimeve. Paraprakisht, ju bëj me dije se ka të dhëna se ka punonjës Policie të përfshirë, pavarësisht nga roli dhe funksioni që mbajnë dhe ne jemi të përgatitur të çelim hetime për çdo punonjës të përfshirë. Do të bëjmë një takim me këto nivele që të kontrollojmë detyrat e vendosura nga titullari i Ministrisë së Brendshme. Jemi të hapur për të hetuar ndaj çdo punonjësi Policie dhe kemi informacione. Në disa raste kemi nisur hetimet dhe në disa të tjera pritet që të nisin. Hetimet po zhvillohen në Shkodër dhe Vlorë, në lidhje me rastet e abuzimeve nga funksionarë të ndryshëm të Policisë së Shtetit”, tha Ago.