TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
“Kemi disa drejtorë legena që na nxijnë fytyrën duke u përfshirë në korrupsion e keqmenaxhim. Performanca e tyre është larg pritshmërisë së publikut”.
Ishte kjo deklarata e kryeministrit Edi Rama në 22 Tetor të vitit 2018, vetëm pak ditë pas arrestimit të Arben Çukos për korrupsion nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Dhe në fakt materialet e publikuara këtë të hënë nga Zëri i Amerikës, tregojnë se faji i keqqeverisjes nuk qëndron vetëm tek drejtorët e zgjedhur nga qeveria Rama. Hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për ish-drejtorin e Burgjeve, Arben Çuko ekspozojnë farsën e konkurseve publike dhe ndërhyrjet për punësime nga zyrtarë lokalë, deputetë të Partisë Socialiste dhe në një rast, edhe nga kabineti i kryeministrit Edi Rama.
Më 30 prill 2018, drejtori i Përgjithshëm në atë kohë i Burgjeve, Arben Çuko mori një telefonatë nga kabineti i kryeministrit Edi Rama. Biseda bëhej me porosi të drejtoreshës së kabinetit, Vali Bizhga dhe kishte në fokus punësimin e një vajze.
Të dhënat e siguruara nga Zëri i Amerikës përmes një duzine përgjimesh dhe mesazhesh të shkëmbyera tregojnë se telefonata të ngjashme mbi punësimet apo transferimet e punonjësve në sistemin e burgjeve ishin pjesë e rutinës së përditshme të punës së ish-drejtorit Arben Çuko.
Përveç zyrës së shefes së kabinetit të kryeministrit Edi Rama, në përgjimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dalin kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja dhe deputetët socialistë Klodiana Spahiu, Blerina Gjylameti dhe Paulin Sterkaj. Ndarja e vendeve të punës në administratë sipas përkatësisë partiake dhe jo sipas meritës është një problem i mbartur i tranzicionit në Shqipëri. Reforma në administratën publike është gjithashtu një ndër kushtet kryesore për integrim në BE, e cila në progres raportin e fundit kërkoi hapa të mëtejshëm në sigurimin e një administrate eficente, të depolitizuar dhe profesionale.
Administrata jo-politike është gjithashtu një premtim i përsëritur i kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë fushatës elektorale të vitit 2017 fajësoi aleatin e vogël LSI për punësime politike dhe deklaroi se do ta çonte “tepsinë për skrap”.