AKTUALITET, 18 Maj 2019, 19:48

“Dosja 339”, Vangjush Dako thirret në prokurori

“Dosja 339”, Vangjush Dako thirret në prokurori

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako është thirrur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Dako është pyetur në lidhje me përgjimet që janë zbuluar nga “Dosja 339”. Kryebashkiaku i Durrësit është pritur ditën e enjte nga prokurorët Vladimir Meçe dhe Dritan Premçi.

Në lidhje me të njëjtën çështje mësohet se janë marrë në pyetje edhe drejtues të tjerë lokalë.

Dako është pyetur edhe ditën e sotme nga prokurorët e rkimeve të rënda. Ende nuk bëhen me dije detaje të tjera.

Çfarë është dosja “339”?

Prej kohësh Partia Demokratike akuzon kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, se është i lidhur me bandën e Avdylajve. Akuzat e PD, lidhen me disa përgjime që kanë dalë në media, ku Dako komunikon me njërin nga anëtarët e bandës së Avdylajve, Altin Avdylaj. Sipas PD, Dako bashkëpunoi me Avdylajt për të blerë votat në Durrës, por këto akuza janë hedhur poshtë nga kryebashkiaku, i cili ka thënë se komunikimet me Avdylajt kanë qenë në kuadër të fushatave elektorale dhe pa asnjë prapavijë kriminale.