AKTUALITET, 2 Tetor 2020, 23:30

Presidenti Donald Trump zhvendoset në spital pas infektimit me koronavirus

Presidenti Donald Trump zhvendoset në spital pas infektimit me koronavirus

Më pak se 24 orë prej momentit kur mësoi se ishte i infektuar me koronavirus, Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, është transportuar në spital.

Lajmi konfirmohet nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, e cila sqaron se presidenti do të qëndrojë në spitalin Walter Reed, për disa ditë. Spitali gjendet në periferi të Washington DC dhe është një prej spitaleve më të mira  ushtarake në SHBA.

Trump dhe bashkëshortja e tij, Melania, u infektuan me koronavirus dhe e njoftuan ditën e sotme këtë lajm për publikun.

"Për të qenë sa më të kujdesshëm dhe pas rekomandimit të mjekëve dhe ekspertëve shëndetësor, Presidenti do të punojë nga zyrat presidenciale në Walter Reed, për disa ditë. Presidenti Trump e çmon mbështetjen e madhe ndaj tij dhe zonjës së parë", tha zëdhënësja.

Infektimi i presidentit 74 vjeçar,  me koronavirusi, pati një impakt të madh në Washington dhe në mbarë SHBA-në, duke shkaktuar edhe tronditje të tregjeve, pak javë përpara zgjedhjeve presidenciale.

Infektimi me koronavirus pritet të ketë një impakt në fushatën presidenciale të Trump, pasi ai do të vijojë të karantinohet derisa të rezultojë negativ ndaj virusit. Debati i ardhshëm presidencial mes Trump dhe Biden, gjithashtu mbetet në pikëpyetje pas infektimit të presidentit.

/TPZ.al/