AKTUALITET, 21 Shtator 2017, 16:57

Diplomati Koreano Verior i përgjigjet Trump: Qentë le të lehin, karvani ecën përpara

Diplomati më i rëndësishëm i Koresë së Veriut, e ka quajtur fjalimin e Presidentit Donald Trump, "zhurma e lehjes së qenit". Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, zoti Trump, u shpreh se do ta "shkatërronte tërësisht" Korenë e Veriut, nëse ajo do të përbënte rrezik për Amerikën ose aleatët e saj.

Komentet e Ministrit të Jashtëm Ri Yong-ho, ishin reagimi i parë zyrtar i Koresë së Veriut, pas fjalimit të Trump.

Koreja e Veriut ka vazhduar me planin e saj për krijimin e armëve bërthamore, në kundërshtim me rezolutat e njëpasnjëshme të Kombeve të Bashkuara.

Zoti Ri, u tha reporterëve në selinë e OKB-së në New York: "Ka një shprehje: Qentë le të lehin, karvani ecën përpara". "Nëse Trumpi po mendonte të na surprizonte me zhurmën e lehjes së qenit, është thjeshtë një ëndërr e tij".

(tpz.al)