AKTUALITET, 15 Janar 2019, 17:43

“Dil dhe protesto, ne na u bashko”, ngujohen studentët e Elbasanit

Studentet e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” ashtu siç kishin paralajmëruar iu janë bashkuar studentëve të Tiranës e Durrësit duke u ngujuar brenda godinës kryesore ku ndodhet Rektorati dhe administrata si dhe disa fakultete, në shenjë proteste për plotësimin e kërkesave të tyre drejtuar qeverisë që në ditët e para të dhjetorit.

foto galeri

“BalkanWeb” ka siguruar edhe pamjet kur studentët futen brenda Universitetit për të nisur rebelimin e tyre. Fillimisht ata kanë hasur në kundërshtimin e rojeve të Universitetit por më pas kanë arritur të hyjnë.

Me pankarta në duar studentët kanë thurur dhe vargje për të çuar më lart zërin e protestës së tyre.

Ja disa prej tyre

Nuk paguaj rektoratin, 

as për Besën as për të gjatin.

S’kemi hallin e provimeve,

por sot halli është i çmimeve.

Për të gjithë ju që u ngritët,

po ju them se kalojnë vitet

dhe në master nesër shkon,

1 milionëshin se mendon?

Ngrije zërin se të rropën.

e hi syve sot të hodhën.

Dil sërish e protesto,

ec sërish e na u bashko…

Studentët kanë deklaruar se duan plotësimin e kërkesave dhe i kanë bërë thirrje qytetarëve për mbështetje. “I bëjmë thirrje kryeministrit të na plotësojë kërkesat”, thanë ata.