AKTUALITET, 15 Janar 2019, 17:08

Rama e quajti Zërin e Amerikës "kazan", reagon Elez Biberaj

Rama e quajti Zërin e Amerikës "kazan", reagon Elez Biberaj

Drejtori për Europën dhe Azinë i "Zërit të Amerikës", Elez Biberaj, i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, pas etiketimit që ky i fundit i bëri edhe "Zërit të Amerikës" duke e quajtur “kazan” për shkak të denoncimit nga ana e tij  se si zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste përdornin vendet e lira të punës në administratën e burgjeve për të punësuar militantët e tyre.

Sipas Biberajt, shërbimi shqiptar i "Zërit të Amerikës" ka siguruar vazhdimisht raportime të sakta dhe të paanshme rreth zhvillimeve në Shqipëri dhe ai ka garantuar nga ana e tij plotësisht integritetin dhe gjykimin e lajmit.

“Shërbimi shqiptar i 'Zërit të Amerikës' ka siguruar vazhdimisht raportime të sakta dhe të paanshme rreth zhvillimeve në Shqipëri dhe unë garantoj plotësisht integritetin dhe gjykimin e lajmit. Shërbimi shqiptar vijon me krenari misionin e prodhimit të gazetarisë së vlerave në mbështetje të demokracisë dhe lirisë dhe t’i sigurojë audiencës së tij lajme dhe informacione të sakta, objektive dhe të balancuara në mënyrë që ata të bëjnë zgjedhjet e duhura”, – u shpreh për Ora News, Elez Biberaj, Drejtori për Evropën dhe Euroazinë i "Zërit të Amerikës".

Kujtojmë se pas denoncimit  të këtij rasti nga "Zëri i Amerikës" erdhi edhe sulmi i Kryeministrit ndaj kësaj mediaje.

Reagimi i Ramës në Twitter:

“Erdhi dita që Zëri i Amerikes të flasë nga kazani i Tiranës, duke përgojuar dynjanë mbi bazë llogjesh telefonike. Për herë të parë në Albania organizohet konkurs publik për punësimet në burgje dhe kazani gjëmon deri në Amerikë e jehon në katundin tonë mediatik. Çfarë katandie”.