AKTUALITET, 5 Maj 2018, 18:35

Dhuna në varrezat e Dëshmorëve, Patozi: Unë preferoj ata që qëlluan, të dhunuarit të mbajnë foton e Ramës

Dhuna në varrezat e Dëshmorëve, Patozi: Unë preferoj ata

Pas incidentit të ndodhur sot në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, ku disa persona goditën disa të tjerë të cilët mbanin në duar fotot e Enver Hoxhës, ka reaguar edhe Astrit Patozi.

Ky i fundit përmes një postimi të bërë në Facebook, shkruan se është “gjithmonë kundër çdo lloj dhune, pavarësisht kush e ushtron dhe pavarësisht mbi kokën e kujt bie. Por nëse duhet të zgjedh patjetër mes atyre që dalin të manifestojnë më 5 maj me fotografinë e Enver Hoxhës, dhe të tjerëve që u qëllojnë atyre me shkopinj, unë preferoj të dytët”.

Postimi i plote:

KËSHILLË PËR ATA QË E HËNGRËN NGA FOTO E ENVER HOXHËS

Unë jam gjithmonë kundër çdo lloj dhune, pavarësisht kush e ushtron dhe pavarësisht mbi kokën e kujt bie.

Por nëse duhet të zgjedh patjetër mes atyre që dalin të manifestojnë më 5 maj me fotografinë e Enver Hoxhës, dhe të tjerëve që u qëllojnë atyre me shkopinj, unē preferoj të dytët.

Sepse rastin e parë e konsideroj dhunë më të madhe, që i bëhet publikut shqiptar, kur ende nuk janë tharë plagët e diktaturës komuniste.

Kurse atyre që u lënduan, do t’u sugjeroja që herën tjetër kur të shkonin në Varrezat e Dëshmorëve të mbanin në duar portretin e Edi Ramës, dhe do ta kishin më të lehtë.

Edhe mesazhin që donin të përcillnin do ta kishin dhënë njësoj, por edhe do t’i kursenin vetes drurin.