TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Detaje të reja nga dy shpërthimet me tritol që ndodhën brenda një harku të shkurtër kohor në Fushë-Krujë.
Fillimisht, rreth orës 22:55, u hodh në erë një mobilieri në Nikël, ndërsa rreth 30 minuta më pas, u shpërthye garazhi i një punonjësi Policie në lagjen “Punëtori” në Fushë-Krujë. Në të dyja rastet ka pasur vetëm dëme materiale. Shpërthimi që krijoi më shumë panik ishte ai brenda në qytet, pasi sasia e tritolit ishte e konsiderueshme.
Nga shpërthimi është dëmtuar një mjet tip “Benz”, që ndodhej i parkuar në garazh dhe muret e pallatit ku jeton punonjësi i Policisë së Burgut të Krujës, Ramazan Çenia, 58 vjeç. Kurse shpërthimi i dytë, në Nikël, është regjistruar dhe nga kamerat e sigurisë së mobilierisë, që çoi në identifikimin e dy autorëve dhe arrestimin e tyre më pas. Biznesi i sulmuar është në pronësi të Enver Cani, 45 vjeç.
MOBILIERIA
Katër persona vendosën një sasi të konsiderueshme tritoli në mobilierinë e Enver Canit, me të cilin kishin një përplasje të hershme për shkaqe konkurrence. Shpërthimi ndodhi pak minuta para orës 23:00. Si pasojë e shpërthimit u regjistruan vetëm dëme materiale, pasi lënda plasëse rreth 200 gr tritol ishte vendosur në hyrje të mobilierisë, duke dëmtuar kështu fasadën prej xhami.
Policia arriti të zbardhte në vetëm pak orë ngjarjen falë pamjeve të kamerave të sigurisë. Në pranga përfunduan dy persona, ndërsa në kërkim janë dy të tjerë si bashkëpunëtorë të tyre. Të arrestuarit janë shtetasit e identifikuar me inicialet D.Xh. e B.K. Në banesën e këtij të fundit, Policia sekuestroi edhe një sasi lëndë narkotike.
Ndërsa për arsye hetimi nuk bëhen të ditura identitetet e dy personave në kërkim. Për shpërthimin dyshohet se u përdorën rreth 200 gramë tritol e për pasojë dëmet materiale dhe paniku te familja e pronarit, që banon në katin e tretë të godinës, ishte i madh.
GARAZHDI
Persona ende të paidentifikuar vendosën një sasi prej rreth 150 gr lënde plasëse të llojit tritol në garazhin e policit të burgut, Ramazan Çenia. Garazhi ndodhet në katin e parë të pallatit ku jeton punonjësi i Policisë së Burgut të Krujës.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 23:30 të mbrëmjes së të martës, duke shkaktuar panik mes banorëve. Shpërthimi, veç dëmeve të konsiderueshme materiale, nuk shkaktoi të lënduar. Ky nuk është rasti i parë kur efektivi i Policisë së Burgjeve sulmohet me tritol, por ende nuk ka asnjë person të dyshuar, ndërsa Policia tregohet e rezervuar në informacion mbi motivet.
Dyshimet janë se sulmet lidhen me detyrën e 58-vjeçarit, por pistat e hetimit shkojnë edhe përtej tij, pasi eksplozivi mund të jetë vendosur edhe për konflikte që mund të ketë djali i tij. Vetë efektivi ka deklaruar se nuk ka konflikte të hapura dhe s’e ka idenë se kush mund të jenë autorët e dy sulmeve në drejtim të tij.